Pamje - Momenti kur të dyshuarit për spiunazh nxirren nga Gjykata përmes tunelit

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit për dy të dyshuarit Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të arrestuar dje, më 05.06.2024, për spiunazh.

Kështu, Gjykata ka miratuar më 06.06.2024  kërkesën për paraburgim të bërë nga Prokuroria Speciale.

Pas përfundimit të seancës dëgjimore mbi masën e sigurisë, të dyshuarit janë nga Gjykata përmes tunelit.

Gjyqtari i procedurës paraprake për këtë rast është gjyqtari Valon Kurtaj.

Dy të dyshuarve shqiptarë të arrestuar për spiunazh, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, u janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuterë, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, gazmaska ushtarake si dhe shumë dëshmi të tjera.

Një informacion të tillë shtesë në lidhje me arrestimin e dy të arrestuarve në Ferizaj më 05.06.2024 e ka bërë të ditur Policia e Kosovës në raportin 24 orësh.

Policia njoftuar se gjatë kontrollit në lokacionin e të dy të dyshuarve janë sekuestruar këto dokumente dhe pajisje si prova materiale.

I dyshuari Bedri Shabani ishte pjesëtar i Doganës së Kosovës deri në vitin 2004, kur edhe ishte shkarkuar për shkak të komunikimit të paautorizuar me mjetet e informimit masiv, kurse tjetri me inicialet Muharrem Qerimi. sipas burimeve të KALLXO.com ka qenë pjesëtar i Policisë së Kosovës deri në vitin 2011.

Çka nënkupton spiunazhi dhe si rregullohet ai në Kodin Penal?

Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, vepra penale e spiunazhit hyn në kuadër të veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Ai renditet në nenin 124 të këtij Kodi dhe nënkupton disa situata ku ndër to është; kur sekreti shtetëror i komunikohet, dorëzohet, apo i bëhet i arritshëm shtetit të huaj, organizatës së huaj apo personit që u shërben atyre.

Sipas kësaj, dënueshmëria minimale është 5 vjet burg, kurse maksimale është 12 vjet.

Ky nen në paragrafët e tij parasheh edhe situata të tjera dhe dënueshmëri të ndryshme:

– Kushdo që për shtetin apo organizatën e huaj krijon shërbimin informativ në Republikën e Kosovës apo drejton shërbimin e tillë, dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim;

– Kushdo që hyn në shërbimin informativ të huaj, mbledh të dhëna për të apo në ndonjë mënyrë tjetër e ndihmon punën e shërbimit të tillë, dënohet me jo më pak se 5 vjet burg

– Kushdo që mbledh të dhëna apo dokumente të klasifikuara me qëllim që t’ia komunikojë dhe dorëzojë shtetit të huaj, organizatës së huaj apo personit që u shërben atyre, dënohet me burgim prej 3 deri në 10 vjet.

Nëse këto vepra penale kryhen dhe shkaktojnë pasoja të rënda për sigurinë ose fuqinë ekonomike apo ushtarake të shtetit, kryesi dënohet me burgim jo më pak se 10 vjet.

Kurse, nëse këto vepra penale kryhen gjatë kohës së luftës, rrezikut të pashmangshëm për luftë, konfliktit të armatosur apo zbulimi i sekretit shtetëror ka të bëjë me sigurinë e Republikës së Kosovës, kryesi dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Sekreti shtetëror, sipas Kodit Penal, për qëllime të këtij kapitulli që trajton këto vepra, nënkupton të dhënat apo dokumentet ushtarake, ekonomike apo zyrtare të cilat janë shpallur si informata të klasifikuara me ligj apo me dispozita ose vendime tjera të organit kompetent të nxjerra në pajtim me ligjin.