Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Palmer: SHBA mbështet dialogun, besojmë në njohje reciproke

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Matthew Palmer, tha se SHBA-të mbështesin fuqishëm dialogun Kosovë – Serbi.

Palmer u shpreh i bindur që njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë do të ndodhë në kuadër të dialogut.

“Ne vazhdojmë të besojmë se është njohja reciproke çështja që do të hapë rrugën përpara”, tha ai.

“SHBA-ja fuqishëm e mbështet dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Qëllimi është normalizimi i raporteve. Vendet duhet t’i lënë anash ngjarjet e së kaluarës dhe BE t’i hap rrugën anëtarësimit si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë në Bashkimin Evropian”, tha ai.

Palmer tha se SHBA-ja, ndonëse nuk është palë në dialog, është e përfshirë në mënyrë aktive në normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi.

“SHBA nuk është palë në procesin e dialogut, por ne jemi partnerë. Jemi të përfshirë në mënyrë aktive edhe me Beogradin dhe Prishtinën. Jemi duke punuar me Miroslav Lajçakun dhe ekipin e tij në mbështetje të normalizimit të raporteve”, theksoi ai.