Pal Lekaj mungon në Gjykimin për Korrupsion për shkak se sot bëhet deputet

Ish ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj ka munguar sot në seancën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, ku po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Avokati i Lekaj, Arianit Koci ka thënë se i mbrojturi i tij sot do të jap betimin e deputetit, dhe i njëjti do të paraqitet në gjykatë në orën 13:00.

“Pasi që seanca e kuvendit në Prishtinë ende nuk ka filluar me betimin e deputetëve, frikohem që i mbrojturi im do të vonohet pasi që një orë e gjysmë do të bëjë rrugë prej Prishtinës deri në Gjakovë, andaj më mirë të shtyhet për nesër”- tha avokati Arianit Koci.

Në seancën e Pal Lekaj, Gani Rama, Ismet Isufi dhe Veli Hajdaraga, ka munguar edhe prokurori Atdhe Dema.

Kryetari i trupit gjykues Shaqir Zika, e ka kontaktuar në telefon prokurorin Atdhe Dema dhe i njëjti kishte lajmëruar se gjendet në një seancë të shqyrtimit kryesor në punë dhe se në seancë do të paraqitet në orën 13: 30.

Planifikimi i ditës së sotme që të dëgjohen dëshmitarë, u shty për ditën e nesërme.

Në seancën e 26 dhjetorit, Lekaj nuk kishte dhënë betimin e tij si deputet , pasi që ishte në mesin e 9 deputetëve të tjerë, të cilët kishin vendosur t’i mbajnë postet e tyre ekzekutive.

Deputetët që mungojnë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, duhet që betimin ta bëjnë në seancën e parë të radhës.

“Deputeti, që mungon në mbledhjen konstituive të legjislaturës, kur bëhet betimi, betimin e bën në mbledhjen e parë të radhës”, thuhet në rregulloren e Kuvendit, neni 10.

Ish-kryetari i komunës se Gjakovës, dhe ish ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj bashkë me ish-zyrtarin e tij Gani Ramën dhe drejtorin e drejtorisë për bujqësi Ismet Isufin, po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga po akuzohet për shmangje nga tatimi dhe mashtrim me subvencione.

Sipas aktakuzës, Pal Lekaj dhe Ismet Isufi, akuzohen se gjatë periudhës 2008-2014, duke vepruar në cilësinë e personave zyrtarë, i pari në cilësinë e kryetarit të Komunës së Gjakovës, ndërsa i dyti si drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, kanë shpërndarë subvencione, përmes kompanisë “UNION-VL”, në kundërshtim me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.

Në aktakuzë thuhet se vendimet që i ka marrë Pal Lekaj, mbulojnë vetëm shumën prej 235.400 euro, ndërsa vendimet e tjera nuk kanë asnjë lloj baze juridike e që arrijnë deri në shumën prej 631.671.82 euro.

Të njëjtit edhe pse kanë qenë të obliguar që ta përcjellin shpërndarjen e subvencioneve deri në fund dhe në përpikëri, kanë lejuar mbi 40% të fermerëve mos të pranojnë fare subvencione, të cilët ia kanë mundësuar biznesit “UNION-VL”, apo personave të tjerë përvetësimin e dobisë pasurore që si pasojë kanë dëmtuar buxhetin e Komunës së Gjakovës në vlerë prej 69.786.00 euro.

Ndërsa i akuzuari Veli Hajdaraga, ngarkohet me veprën e mashtrimit me subvencione të shmangies nga tatimi.

Hajdaraga, në cilësinë e udhëheqësit të biznesit “UNION-VL”, ka dhënë informacione jo të sakta me rastin ndarjes së subvencioneve, duke deklaruar dhe nënshkruar se kinse kanë pranuar subvencione të gjithë personat e nënshkruar në formularët mbi pranimin e tyre

I njëjti me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve tjera që kërkohen me ligj, ka prezentuar të dhëna të pavërteta lidhur me të ardhurat e biznesit të tij, pasurinë apo gjendjen ekonomike, duke deklaruar një qarkullim më të vogël sesa ai real, repektivisht duke bërë shmangie nga tatimi në shumë rreth 35.550.00 euro, thuhet në aktakuzë.

Aktakuzë Ndaj Zyrtarit Financiar të Gjakovës