Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Padia ndaj Ferit Idrizit për shpifje dhe fyerje, nuk ka ekspertizë financiare për vlerësim të dëmit, nuk mbahet seanca

Ish-kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, e kishte paditur kundërkandidatin për kryetar të Komunës, Ferit Idrizin, për shpifje dhe fyerje, në lidhje me një video-mesazh të publikuar në profilin e tij në Facebook gjatë kohës së zgjedhjeve që ishin mbajtur në tetor të vitit 2021.

Pas balotazhit, Ferit Idrizi ishte zgjedhur kryetar i Komunës, post të cilin e mban edhe sot.

Sipas padisë, Ferit Idrizi në video-mesazhin në fjalë, por edhe në debat televiziv, kishte dhënë deklarata lidhur me “afera korruptive” të Xhafer Tahirit.

Sipas Tahirit, kryetari i tanishëm (i cili vjen nga radhët e PDK-së) e ka bërë këtë me qëllim të përfitimit të votave për vete e në dëm të tij.

Në emisionin #Debatpërnime, ku ishin të pranishëm Idrizi e Tahiri, ky i fundit kishte paralajmëruar padi për atëherë kandidatin e PDK-së e kryetarin aktual të Komunës së Vushtrrisë.

Në debatin në fjalë, Tahiri kishte paralajmëruar që dosja e pretenduar e Idrizit po shfrytëzohej për degradim personal të tij, me ç’rast ai tha: “Ose vet do të dënohem për korrupsion siç thoni ju, ose ju do të dënoheni për shpifje”. “Këtu kompromis nuk ka”- kishte shtuar ai.

Seanca e paraparë të mbahej sot në Gjykatën e Vushtrrisë për këtë rast nuk është mbajtur, me arsyetimin se mungon ekspertiza financiare për vlerësim të dëmit të cilën e kishte propozuar Xhafer Tahiri.

“Gjykata e ka aprovuar propozimin e paditësit (Xhafer Tahiri) për caktimin e ekspertit për vlerësim të dëmit material nga shpifja dhe fyerja. Eksperti ende nuk e ka sjellë në Gjykatë ekspertizën, prandaj kjo ekspertizë do të trajtohet si provë në seancën e radhës”- tha Tahiri për KALLXO.com.

Kallxo.com ka kontaktuar kryetarin e tanishëm të Vushtrrisë, Ferit Idrizi, i cili tha se e tërë kjo është banale pasi që paditësi nuk e di as vetë se çka i kam thënë në debat.

“A ka më banale kur as vetë nuk e din se çka i paskam thanë në debat, debat zgjedhor. Po me të thanë shumë sinqerisht po më brengos një punë shumë, jashtëzakonisht shumë, me u marrë kaq shpejt gjykatat me një lëndë që është krejt kot, që s’ka”- tha Idrizi.

Ish-kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, gjatë vitit 2021 kishte paditur kandidatin për kryetar të Komunës, në atë kohë, Ferit Idrizin, për shpifje dhe fyerje.

Tahiri përmes padisë pretendon se Ferit Idrizi më 25 dhjetor 2021 kishte shpërndarë në rrjetin social Facebook një video-mesazh me të cilin u drejtohej qytetarëve të asaj komune, dhe përmendte afera të pretenduara korruptive të kryetarit në detyrë në atë kohë.

Tahiri ishte kryetar i Komunës që nga viti 2017.

Xhaferi në padinë e dorëzuar në Gjykatën e Mitrovicës, dega Vushtrri, kishe paraqitur si provë një video që Idrizi e kishte shfaqur në profilin e tij në Facebook.

Sipas paditësit, këto deklarata të Idrizit janë shpifje me qëllime politike për të dëmtuar imazhin e tij, pasi që ndaj tij nuk ka asnjë proces gjyqësor për afera korruptive apo ushtrim të ndikimit në mënyrë të kundërligjshme.

Tahiri deklaratat e Idrizit i ka konsideruar si tendencioze me qëllim të denigrimit të personalitetit të tij prej kryetari të Komunës e në atë kohë kandidat për rizgjedhje. Xhafer Tahiri ishte në garë më të paditurin. Sipas padisë, Ferit Idrizi shpif pa asnjë bazë e argument ligjor me qëllim të përfitimit të votave e pozitës për vete.

Marrë për bazë këto pretendime, Tahiri kishte paditur Idrizin, duke kërkuar nga Gjykata që kjo padi të aprovohet në tërësi si e bazuar.

Po ashtu, Tahiri nga Gjykata ka kërkuar që të detyrohet Idrizi të largojë nga ta gjitha domenet publike statusin dhe të kërkojë falje.

Krahas këtyre, Tahiri ka kërkuar nga Idrizi kompensim të dëmit material dhe jomaterial në vlerë 9,500.00 euro dhe në fund Gjykatës i është kërkuar që të obligohet i padituri të publikoj në gazetat ditore aktgjykimin e nxjerrë.