Pacolli në takim me Ramën diskuton për situatën në veri të Kosovës

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka zhvilluar takim me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama i cili kishte vizitën e parë në Kosovë pas formimit të qeverisë së re.

Pacolli ka shkruar se me Ramën ka diskutuar për situatën në veri të Kosovës.

“Vizita e Kryeministrit shqiptar, në këtë moment delikatë është shumë e nevojshme dhe Kosova duhet të shfrytëzoj këtë për forcimin e lidhshmërisë, në çdo aspekt me Shqipërinë. E falënderova për vizitën dhe mbështetjen e tij për vendin tonë. Biseduam për nevojën e madhe të funksionalizimit të të gjithë mekanizmave paqësor në mënyrë që të ç’tensionohet situata në veri dhe t’i hapet rrugë dialogut”, tha Pacolli.

Sipas tij, mesazhi i Ramës ishte i qartë se Shqipëria qëndron fuqishëm në krah të Kosovës.

“Mesazhi i sotëm i Kryeministrit Rama ishte i qartë se Shqipëria fuqishëm qëndron në krah të Kosovës, në secilen variante që garanton zgjidhje të problemit duke mos rrezikuar jetrat e qytetarëve, që garanton lëvizjen e lirë dhe ruan integritetin territorial të vendit”, tha ai.