Osmani pret që pas zgjedhjeve në BE do të ketë ndërmjetës të ri të dialogut Kosovë - Serbi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pret që pas zgjedhjeve që do të mbahen në Bashkimin Evropian më 6 dhe 9 qershor 2024, do të ndërrohet edhe ndërmjetësi i dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Pas zgjedhjeve në BE do të kemi komisionerë të rinj, zyrtarë të rinj, që do ta marrin përsipër procesin e dialogut. Sipas të gjitha gjasave, edhe ndërmjetësues të ri, nga ajo që më është thënë nga vetë zoti Lajçak i cili e ka mandatin diku deri në gusht”- tha Osmani, më 23.02.2024.

Sipas Osmanit, me rëndësi është që Kosova të tregoj konstruktivitetin që e ka treguar deri më tani dhe të insistojë në zbatimin e plotë të marrëveshjeve, e jo vetëm të neneve të caktuara.

Rreth katër vjet pas emërimit, i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak është në prag të përfundimit të mandatit në misionin e tij për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Lajçak do të qëndrojë në krye të procesit të dialogut Kosovë- Serbi si përfaqësues i BE-së, deri më 31.08.2024.

Më parë, ai ka shërbyer si ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë dhe si President i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për seancën e 72-të (2017-2018).

Në periudhën 2007-2009 ishte Përfaqësues Special i BE-së për Bosnje-Hercegovinën, ndërsa vepronte edhe si Përfaqësues i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare atje. Si një i dërguar personal i Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, negocioi, organizoi dhe mbikëqyri referendumin për pavarësinë e Malit të Zi në vitin 2006 në emër të Bashkimit Evropian.

Emërimi i Mirsolav Lajçak në prill të vitit 2020, ngjalli reagime të shumta në Kosovë. Gjithçka nisi pas një deklarate të ish presidentit Hashim Thaci i cili në atë kohë refuzoi të merrte pjesë në negociatat e udhëhequra nga përfaqësuesi special i ri i BE-së.

Thaçi pati deklaruar se “misioni i Lajçakut është i paracaktuar të dështojë”, për shkak të angazhimit të tij si ish-ministër i Jashtëm sllovak.

Ndonëse jo prej fillimit, gjatë rrugëtimit të tij si kryeministër edhe Albin Kurti ka shprehur pakënaqësi për punën e Lajçakut në procesin e dialogut.

Në shtator të vitit 2023, Kurti në një konferencë për media e akuzoi Lajçakun se ishin koordinuar me presidentin serb Aleksandër Vuçiq për zbatimin gjysmak të Marrëveshjes së Ohrit. Qëndrimin e Lajçakut, Kurti e quajti edhe goditje ndaj Kosovës.

“Më 14 shtator pati një pozicionim të ndërmjetësit kundër Kosovës dhe kundër marrëveshjes në veçanti. Ata kanë shkuar shumë larg me goditje ndaj Kosovës. Ose do e zbatojmë marrëveshjen bazike ose nuk do zbatojmë ato që do Serbia” – tha ai.

Kosova dhe Serbia janë në proces të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011. Që nga viti 2021, procesi i dialogut nga Kosova udhëhiqet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Palët, përgjatë kësaj periudhe kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Lajçak, mes besimit dhe kritikave në misionin e papërfunduar në dialogun Kosovë – Serbi