Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Osmani: Nuk pranojmë modele që do ta shndërronin Kosovën në shtet jofunksional

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se institucioneve të vendit nuk i janë prezantuar autonomi e zgjeruar apo Asociacion me kompetenca ekzekutive.

Këto deklarata ajo i ka dhënë para takimeve medërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Presidentja ka shtuar se “modele që do ta shndërronin Kosovën në shtet jofunksional as nuk na kërkohen e as nuk i pranojmë”.

“Unë dua ta qartësoj qysh tani që propozimet për të cilat po përflitet për kinse autonomi të zgjeruar apo ndonjë lloj asociacioni me kompetenca ekzekutive asnjëherë nuk i janë prezantuar palës sonë, pra institucioneve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Osmani ka shtuar se qëndrimet e institucioneve të Kosovës rreth Asoaciaicionit të komunave me shumicë serbe, janë të qarta.

“Si përfaqësues të Republikës së Kosovës, ne jemi të vendosur që mos të lejojmë të implementohen në vendin tonë që është ndërtuar me shumë sakrificë, modele të cilat do ta bënin shtetin tonë jo funksional. Qëndrimet tona sa i përket Asociacionit kanë qenë gjithnjë të qarta, nuk është që janë befasi për ndokënd, përfshirë edhe për miqtë tanë ndërkombëtarë, prandaj ne jemi duke duke diskutuar me ta se si ta shtyjmë përpara procesin e dialogut drejt asaj që është zgjidhja e vetme e qëndrueshme, jo vetëm për ne si Kosovë por për gjithë rajonin, e që është njohja e ndërsjellë”, ka theksuar Osmani.

“Modele, sidomos tani me çfarë po ndodhë në Bosnje dhe gjetiu, modele që do ta shndërronin Kosovën në shtet jo funksional as nuk na kërkohen e as nuk i pranojmë”, ka shtuar presidentja.

Osmani ka fajësuar qeverisjet e kaluara të Kosovës për nënshkrimin e marrëveshjes së Asociacionit.

“Ajo që është problemi i madh është që kanë qenë përfaqësues të Republikës së Kosovës ata që kanë nënshkruar marrëveshje të cilat, Asociacionit të komunave serbe i kanë dhënë kompetenca ekzekutive. Pra duhet ta themi një realitet që është sepse është e zeza në të bardhën, është letër e nënshkruar, nga ish-kryeminstra të Kosovës dhe përgjegjësia duhet të merret si e tillë”, ka thënë ajo.

“Dhe rrjedhimisht këto tendenca që pastaj të gjuhet përgjegjësia tek komuniteti ndërkombëtar dhe të fshihen prapa komunitetit ndërkombëtar, nuk i bëjnë nder Kosovës”, ka theksuar sot presidentja.

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nisin më 31 janar vizitën pesëditore në Kosovë dhe Serbi, në përpjekje për t’i inkurajuar liderët e dy vendeve që të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.