Osmani: Më 11 shtator 2001 nuk u sulmua vetëm Amerika, por të gjithë ne që besojmë në të njëjtat vlera
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka përkujtuar viktimat e sulmit terrorist në SHBA më 11 shtator të vitit 2001.
Osmani ka thënë se në atë ditë, shtetasit amerikan, ishin në një ndër sulmet terroriste më të tmerrshme të njerëzimit
Por, sipas saj, atë ditë nuk u atakua vetëm Amerika, por të gjithë që besojnë në vlerat e lirisë e demokracisë.
“Më 11 shtator 2001, shtetasit amerikanë, qytetarët e SHBA-së, u goditën nga një prej sulmeve terroriste më të tmerrshme në histori të njerëzimit. Por, atë ditë nuk u sulmua vetëm Amerika, u atakuam të gjithë që besojmë në të njëjtat vlera. Në vlerat e lirisë dhe demokracisë. Që nga ai vit e tutje, populli i Kosovës çdo vit ka qëndruar me popullin amerikan, i kemi bashkuar forcat në mbrojtje të këtyre vlerave, luftimit të terrorizimit. Do të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku me miqtë e aleatët tanë në SHBA, ashtu siç ka qëndruar SHBA-ja pranë nesh në çdo moment” – tha presidentja Osmani pasi bashkë me kryeministrin Albin Kurti, zëvendëskryeministres Donika Gërvalla dhe zëvendësambasadores amerikane në Kosovë, Alyson Grunder, kanë vendosur lule në Memorialin në oborrin e Qeverisë, që përkujton viktimat e 11 shtatorit.
Ndërkaq, kryeministri Kurti tha se po nderojnë kujtimin për viktimat dhe shprehim dhembshurinë e solidaritetin e tyre.
“Populli i Kosovës qëndron pranë popullit amerikan. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dëshmuan edhe pas 11 Shtatorit se janë komb i njerëzve të lirë e të barabartë dhe se nuk bëjnë kompromis me vlerat e tyre. 21 vjet më vonë, ne nderojmë kujtimin për viktimat dhe shprehim dhembshurinë e solidaritetin tonë për atë ngjarje të rëndë dhe për familjet dhe gjithë kombin amerikan”- ka thënë Kurti.
Sot janë mbushur 21 vjet nga rrëmbimi i katër avionëve të pasagjerëve nga terroristët islamikë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sulmet më të mëdha terroriste.
Mëngjesin e 11 shtatorit të vitit 2001, 19 terroristë Islamikë të Al Qaeda-s, morën peng 4 avionë pasagjerësh të nisur nga Boston, Njuark dhe Uashington dhe i përdorën ato si raketa gjigante për të sulmuar ndërtesat simbolike në SHBA.
2 kullat ikonë të Nju-Jorkut u rrëzuan, Pentagoni u dëmtua rëndë; gati 3 mijë njerëz humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën, ose pësuan probleme afatgjatë shëndetësore.