Foto: ZKM

Kurti kujton sulmin e 11 shtatorit: ShBA-të dëshmuan se asnjë akt terrori nuk ndryshon karakterin e kombit

Në përvjetorin e 21-të, kryeministri Albin Kurti ka thënë se sot bashkëndjejnë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe së bashku thotë se do të sigurohen që terrorizmi dhe ligësia nuk do të triumfojnë kurrë.

“Ata që sulmuan shpresuan që përmes frikës dhe terrorit ta dobësonin, por ShBA-të qëndruan këmbëngulëse dhe dëshmuan se asnjë akt terrori nuk ndryshon karakterin e kombit amerikan të themeluar mbi besimin se të gjithë janë të krijuar të lirë dhe të barabartë” – ka shkruar mes tjerash kryeministri kosovar në rrjetin social “Facebook”, të dielen.

Sipas Kurtit, pavarësisht se sa vite kalojnë, mjafton të përmendet datën 11 shtator dhe ne “kthehemi menjëherë në atë ditë të errët”.

Kryeministri kosovar ka shkruar se ShBA-të qëndruan këmbëngulëse dhe dëshmuan se asnjë akt terrori nuk ndryshon karakterin e kombit.

“Pak më shumë se dy vjet kishin kaluar nga çlirimi i Kosovës. Ende nuk i kishim pastruar mirë rrënojat e luftës dhe aroma e shkrumbit akoma ndjehej nga shtëpitë e djegura. Amerika po sulmohej! Një vrull ndjenjash të përziera mes frikës, zemërimit dhe pafuqisë për t’i dalë në ndihmë vendit që ndali gjenocidin dhe na ndihmoi të fitonim lirinë, përcillnin pamjet apokaliptike të rrëzimit të rrokaqiejve binjakë në New York dhe të shkatërrimit të një pjese të Pentagonit, në afërsi të kryeqytetit amerikan, Washington, D.C.” – ka shkruar Kurti.

Sot janë mbushur 21 vjet nga rrëmbimi i katër avionëve të pasagjerëve nga terroristët islamikë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe sulmet më të mëdha terroriste.

Mëngjesin e 11 shtatorit të vitit 2001, 19 terroristë Islamikë të Al Qaeda-s, morën peng 4 avionë pasagjerësh të nisur nga Boston, Njuark dhe Uashington dhe i përdorën ato si raketa gjigante për të sulmuar ndërtesat simbolike në SHBA.

2 kullat ikonë të Nju-Jorkut u rrëzuan, Pentagoni u dëmtua rëndë; gati 3 mijë njerëz humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën, ose pësuan probleme afatgjatë shëndetësore.

 

SHBA shënon sot 21-vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit