Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit, arrestohen 7 persona, njëri nga ta polic

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar në një operacion të kryer mbrëmë në Pejë, ka arrestuar shtatë persona, një polic dhe gjashtë qytetarë nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

IPK ka thënë se informacionet se zyrtari policor, punonjës në Drejtorinë Rajonale të PK-së në Pejë, dyshohej se ishte i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme i kishe pranuar para disa muajsh.

Tutje është thënë se në kuadër të veprimeve hetimore mbrëmë nga hetuesit e IPK-së është zbatuar urdhri i kontrollit në një lokal në rrugën “Hoxhë Tahsini” në Pejë.

Kjo pasi ekzistonte dyshimi i bazuar se aty ishte duke u zhvilluar aktiviteti i kundërligjshëm respektivisht dyshohej për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

“Gjatë kontrollit nga IPK janë sekuestruar disa sende që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale në këtë rast”, thuhet në njoftim.

IPK ka treguar se hetuesit e tyre, në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.