Organizatat europiane për verifikimin e fakteve miratojnë Kodin e standardeve profesionale kundër dezinformimit 

Komuniteti i organizatave nga 30 vende të europës për verifikimin e fakteve (fact-checking), përfshirë Internews Kosova me Krypometer nga Kosova, e kanë miratuar draftin final për Kodin e standardeve profesionale për të luftuar dezinformimin. 

“Kodi europian i standardeve për organizatat e pavarura fact-checking”, i publikuar për diskutim publik më 15 shtator, ndërsa drafti final i saj është miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Rrjetit Evropian të Standardeve të Verifikimit të Fakteve që është mbajtur me datën 28 dhe 29 shtator në Madrid të Spanjës. 

“Kodi europian i standardeve për organizatat e pavarura fact-checking” u zhvillua në kuadër të një projekti që përfshiu mbi 40 organizata faktverifikuese. 

Kodi përcakton standardet e metodologjisë, etikës dhe transparencës të domosdoshme për të luftuar me efikasitet dhe integritet dezinformimin.

“Kodi është rezultati i një pune disamujore kërkimore, anketash, debatesh dhe diskutimesh mes organizatave fact-checking europiane, në bashkëpunim me akademikë dhe ekspertë të fushës”- thuhet në komunikatën për media të Rrjetit Evropian të Standardeve të Verifikimit të Fakteve (European Fact-Checking Standards Netëork, EFCSN).

Standardet e Kodit përfshijnë çështje që nisin nga cilësia e burimeve, paanshmëria dhe transparenca financiare dhe janë një detyrim për t’u zbatuar nga të gjitha organizatat fact-checking që aspirojnë të bëhen anëtare të verifikuara të Rrjetit Europian të Standardeve Fact-Checking, i cili do të organizojë, mbështesë dhe përfaqësojë këtë komunitet. 

Anëtarësimi në këtë rrjet shpërfaqë se cilat organizata europiane fact-checking operojnë të pavarura, etike dhe me përkushtimin për t’i shërbyer interesit publik.

Me përmbajtjen e Kodit tashmë të miratuar, komuniteti i organizatave europiane fact-checking janë mbledhur në Madrid më 28 dhe 29 shtator 2022 për të diskutuar dhe përcaktuar misionin dhe strukturat e rrjetit, sikurse edhe trupën drejtuese që do të mbikqyrë zbatimin dhe respektimin e këtij Kodi. Pjesë e këtij takimi të Asambles së Përgjithshme është edhe Interneës Kosova.

Projekti i Rrjetit Evropian të Standardeve të Verifikimit të Fakteve, është një përpjekje për të bashkuar organizatat e pavarura të verifikimit të fakteve për të diskutuar dhe përcaktuar standardet e pavarësisë, transparencës dhe cilësisë metodologjike dhe gazetareske që duhet të udhëheqin përpjekjet për të luftuar dezinformimin.