Falsifikimi i fotove e materialeve prej luftës në Ukrainë dhe mosverifikimi i tyre nga mediat
Me fillimin e sulmit ushtarak të Rusisë në Ukrainë kanë filluar edhe publikimet e fotove e materialeve të falsifikuara, që përdoren si tregues i situatës në vend dhe po shpërndahen nëpër rrjete të ndryshme ku pre kanë rënë edhe shumë media të Kosovës.
E gjitha kjo vjen si pasojë e moskërkimit të origjinës së këtyre materialeve nga ana e mediave para se të publikojnë artikujt por edhe nga konkurrenca në shpejtësi të lajmit.
Shumica e lajmeve të falsifikuara së fundi kanë të bëjnë me publikimin e videove dhe fotografive të vjetra që nuk tregojnë realitetin aktual në Ukrainë.
Në kohë konflikti dhe krize, kur njerëzit janë të uritur për detaje, dezinformatat mund të jenë po aq virale sa edhe faktet e verifikuara.
Materiale dhe foto të falsifikuara si tregues i situatës në Ukrainë
Për shkak të aktualitetit dhe shpejtësisë së rrjedhës së ngjarjeve në kohë reale, ekspertët thonë se lajmet e rreme mund të përdoren për propagandë, si pasojë e mungesës së njohurive për të dalluar lajmet e vërteta nga ato të rreme.
Arben Fetoshi, redaktor në Radiotelevizionin e Kosovës dhe profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se përtej pasojave dramatike nga këto materiale, mediat po shfrytëzohen si armë nga ana e shteteve të përfshira në këtë konflikt.
“Përtej pasojave dramatike të luftës në Ukrainë, shfrytëzimi intensiv i medieve sociale si “armë” kundër njëri-tjetrit, është veçori e diktuar nga hegjemonia globale e teknologjisë digjitale. Në historinë bashkëkohore të luftës mediat janë përdorur gjithmonë për qëllime të propagandës, por dimensioni i tyre në luftën e Ukrainës ka ndryshuar thellësisht për shkak të “gazetarisë qytetare” dhe të shpejtësisë e shpërndarjes së pakufizuar të përmbajtjeve që shkaktojnë “kaos informativ” dhe kanë për pasojë panikun publik”, thotë Fetoshi.
Rast i një paniku të tillë në publik ishte ilustrimi që përdoren disa media në Kosovë për një shpërthim në Ukrainë që dukej si lëshim i ndonjë arme nukleare, me dhjetëra raportime të ngjashme janë identifikaur nga Kallxo.com.
Alban Zeneli, njohës i mediave dhe profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se janë tre gjeneratorë që shtyjnë përpara krijimin e këtyre lajmeve.
“Janë tre gjeneratorë që i gjenerojnë këto falsisikifime, paraja, pra njerëzit që bëjnë para trafik përmes gënjeshtrave, polarizimi politik brenda një shoqërie, dhe grupi i tretë lidhet me propagandën e vendeve joperëndimore si vendet ruse dhe kineze”, tha ai.
Sipas tij, legjislacioni në Kosovë nuk i mundëson ndonjë institucioni mbikëqyrjen e plotë të internetit.
Rrjetet sociale si mjet për shpërndarje të fotove dhe materialeve të paverifikuara
Imazhet dhe videot janë shpesh burime të keqinformimit, sepse tërheqin vëmendjen më shumë sesa një postim i formuluar në mediat sociale.
Është e rëndësishme të shqyrtohet se kush ka shpërndarë një postim në radhë të parë. A mund të verifikohet – dhe a janë burim i besuar?
Shembuj të keqinformimit janë përqendruar kohëve të fundit edhe te “aktorët e krizës” – njerëzit që supozohet se janë punësuar për të luajtur skena në një sulm.
Shembull i kësaj ishte një video e një gruaje duke aplikuar grim me gjak në fytyrën e një burri tjetër. Incidenti nuk ishte filmuar në Ukrainë, por në vend të kësaj nga seti i një serie televizive të quajtur “Contamin” në vitin 2020.
Arben Fetoshi thotë se rrjetet sociale janë konceptuar si burime të sigurta për raportuesit në terren, por këto të fundit në mënyrë strategjike po përdoren edhe për falsifikim të rrjedhës së aktualitetit.
“Nga pala ukrainase, rrjetet sociale po përdoren për ta mobilizuar sa më të shpejt opinionin ndërkombëtar në përkrahje të saj dhe nga pala ruse, për të demoralizuar reagimin luftarak të ukrainasve dhe për të “legjitimuar” agresionin me përmbajtje të falsifikuara të gjoja krimeve ndaj rusëve në Ukrainë”, ka potencuar Fetoshi.
Falsifikimi i materialeve në rrjete sociale ka shkuar deri në shkallën e përdorimit të efektit ‘deep fake’, me anë të të cilit mund të montohen video krejtësisht artificiale.
Një e tillë është shpërndarë kohëve të fundit në rrjetin Twitter. Në të shfaqet presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, duke shpallur paqen.
Gjatë kësaj jave po ashtu, Meta dhe Youtube kanë larguar disa video ‘deep fake’ ku kryetari i Ukrainës, Zelensky flet për dorëzim.
Musa Sabedini, profesor në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT), thotë se lajmet e falsifikuara nëpër media shfaqin mungesë të profesionalizmit.
“Çdo lajm i rremë që plasohet nga mediet online në Kosovë në lidhje me luftën në Ukrainë, tregon mungesën e profesionalizmit, tregon joseriozitetin dhe humb besueshmëria apo klikueshmëria e këtyre portaleve”, ka thënë Sabedini.
Kredibiliteti i mediave njolloset si shkak i lajmeve të paverifikuara
Shpërndarja e materialeve nga situata në Ukrainë nëpër rrjete sociale ka vënë në lajthitje shumë media, që i kanë marrë si të vërteta këto të dhëna.
Reagimi i qytetarëve por edhe organizatave që merren me faktim të lajmeve dhe vënia në pah e këtyre raportimeve ka vënë në një pozitë jo të mirë median dhe gazetarët.
Deri më tani Kallxo.com ka identifikuar dhjetëra lajme që janë të rreme për sa i përket përmbajtjes, foto të vjetra, video false, përmbajtje të tjera, apo lajme që janë thjesht larg realitetit.
Arben Fetoshi thotë se kredibiliteti i mediave po bie për shkak të këtyre raportimeve të paverifikuara.
“Një qasje e tillë padyshim që e dëmton kredibilitetin e medieve, por për fat të keq duke e gjeneralizuar. Pra, dëmtohet imazhi dhe besueshmëria e medieve në tërësi, jo vetëm e atyre që i shërbejnë propagandës”.
Kurse, Musa Sabedini, ligjërues i mediave dhe komunikimit në UBT, thotë se shumë portale në Kosovë po bien pre e këtyre lajmeve, pasi nuk po i verifikojnë ato. Sipas tij, kjo mund të vijë edhe për shkak të stafit të mangët nëpër redaksi duke mos humbur kohë me verifikim paraprak.
Ai thotë se këto lloj raportimesh bëjnë presion mendor dhe emocional te një shtresë e publikut që është e viktimizuar nga këto lajme pa verifikim.
Alban Zeneli thotë se verifikimi i lajmit është standard bazik në gazetari dhe stafi i kufizuar nuk është arsyetim për këto lëshime.
“Verifikimi i informacionit është standard bazik i raportimit në gazetari. Një pjesë e mediave kanë numër të kufizuar të stafit dhe rrjedhimisht dhe këtë e shfaqin si arsye se përse nuk arrinjë t’i verifikojnë para publikimit. Kjo nuk është arsyetim pasi shumë media nuk e korrigjojnë këtë gabim ose ta bëjnë të ditur, bërja publike e korrigjimit do ndihmonte në rritje të besueshmërisë në ato media.
Derisa Muhamet Jahiri, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se mediet kredibile janë ato që ballafaqohen më së shumti me këto fenomene. Si rezultat i këtyre lajmeve të paverifikuara, sipas tij, është dëmtuar edhe imazhi por edhe kredibiliteti i medieve kryesore, duke u krijuar perceptimin se të gjitha janë të njëjta.
Krypometri, si pjesë e Rrjetit Ndërkombëtar të Verifikuesve Fake, IFCN, monitoron mediat që publikojnë lajme në gjuhën shqipe dhe vetëm prej ngjarjeve në sulmit rus në Ukrainë ka identifikuar dhjetra foto e materiale që nuk përkojnë me gjendjen aktuale në Ukrainë.