ORCA: 55% e profesorëve në UP nuk e justifikojnë titullin e tyre akademik

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) gjatë ditës së sotme ka mbajtur një konferenc për media dhe ka bërë publike raportin për “Integriteti akademik, publikimi shkencor dhe justifikimi i titujve në Universitetin e Prishtinës”.

Zëvendës drejtori i ORCA-së, Gramos Buçinca  ka thënë se ORCA për tri vite ka bërë matjen e justifikimit të titujve akademik të profesorëve në UP, përmes identifikimit dhe numrimit të punimeve të publikuara në revista shkencore ndërkombëtare, të nevojshme për secilin nga titujt akademik.

“Në vitin 2019 nga 479 profesorë në UP, 262 apo 55% e tyre nuk e justifikojnë titullin e tyre akademik. Kjo është një e dhënë shqetësuese, ndonëse paraqet një përmirësim nga viti 2017 kur përqindja e mos-justifikimit të titullit ishte 72%, dhe nga viti 2018 kur e njëjta ishte 59%. Sa më i lartë titulli akademik, aq më e keqe situata. 66% apo rreth 2/3 e profesorëve të rregullt nuk e justifikojnë titulline tyre akademik, krahasuar me profesorët e asocuar me 60% dhe profesorët asistentë me 40%”, ka thënë ai.

Tutje u bë e ditur se ORCA ka bërë edhe analizën gjinore të justifikimit të titullit akademik, sipas të cilës ka rezultuar se 39% e grave profesore në UP nuk e justifikojnë titullin akademik, krahasuar me 60% të profesorëve burra.

“Profesorët aktualë në UP kanë publikuar 2042 punime në revista shkencore. Kjo paraqet një rritje prej 307 publikimeve nga viti 2018.  Vetëm në 2017-tën u publikuan 263 punime shkencore, më së shumti në një vit që nga 1988 kur u regjistrua botimi i parë i tillë. Janë mesatarisht 4.26 punime të botuara në revista shkencore për profesor në UP. Janë 532 punime të botuar në revista të dyshimta nga 152 profesorë”, ka thënë Buçinca.

Buçinca gjithashtu ka përmendur disa personat të cilët sipas tyre kanë rol të rëndësishëm në përmirësimin e gjendjes në UP.

“Me këtë rast ORCA do të theksonte rolin e rëndësishëm në përmirësimin e gjendjes në UP që kanë luajtur ish prorektori Naser Sahiti, dhe prorektorët aktualë Faton Berisha dhe Hysen Bytyqi”, ka thënë ai.