Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Oda Amerikane e shqetësuar me renditjen e Kosovës në Indeksin e Lirisë Ekonomike

Oda Amerikane është shprehur e shqetësuar me renditjen e Kosovës në Indeksin e Lirisë Ekonomike në të cilin vendi është nën mesataren rajonale.

Ata thanë se vlerësimi i ulët demonstron domosdoshmërinë e një qasje aktive të institucioneve të shtetit për të adresuar çështjet që lidhen me indikatorët e sundimit të ligjit, madhësinë e qeverisë dhe efikasitetit rregullativ, me fokus në çështjet pronësore, efektshmërinë gjyqësore, integritetin e qeverisë, ngarkesën tatimore, shpenzimet qeveritare, shëndetin fiskal, lirinë afariste dhe lirinë e punës.

“Oda Amerikane është veçanërisht e shqetësuar lidhur me trendin përkeqësues pesëvjeçar të lirisë ekonomike, ku vendi ka shënuar rënie në fund të kategorisë së shteteve me “Liri mesatare”, si dhe reagimin jo të duhur të Qeverisë karshi krizës VODI19 në aspektin e rreptësisë, me renditje në vendin e 91-të globalisht, shqetësim ky i ngritur në mënyrë të vazhdueshme nga Oda Amerikane dhe organizatat e tjera të sektorit privat në vend”, thuhet në reagimin e OAK.

Oda Amerikane i ka bërë thirrje qeverisë për të adresuar në mënyrë urgjente indikatorët e vlerësimit më të ulët.