Foto: Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë

Oda Ekonomike Amerikanë në Kosovë pret Escobarin, flasin për ndikimin e tensioneve në ekonomi

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka ndau sot rrëfime të mundësive të humbura të biznesit në Kosovë për shkak të tensioneve në rajon, me të dërguarin e ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Përmes një komunikate të Odës thuhet se në këtë takim, Escobar ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë do të zhbllokonte rritjen domethënëse ekonomike për Kosovën dhe rajonin.

Escobar, siç thuhet më tej ka theksuar rëndësinë e marrëveshjes së Ohrit dhe ka bërë thirrje për zbatimin e saj sa më të shpejtë nga dy vendet.

“Të dyja palët ranë dakord për rëndësinë e madhe të stabilitetit dhe paqes në Ballkan, si elemente themelore për prosperitet. Më tej, u diskutua për ndërlidhjen ndërmjet marrëdhënieve të normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe stabilitetit të përgjithshëm rajonal” – njofton Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Këto dy palë janë pajtuar edhe se rruga për Kosovën dhe vendet e tjera ballkanike varet nga hyrja e tyre në Bashkimin Europian. Sipas tyre, ky integrim do të sillte një epokë të re të mundësive të shtuara ekonomike.