Murati: Për herë të parë kemi mbi 410 mijë vende pune aktive

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se për herë të parë në Kosovë ka 410 mijë vende pune aktive, ndërsa ka shtuar se numri i të rinjve të punësuar nën moshën 25 vjeç është dyfishuar.

Duke përmendur vendimin e djeshëm të Qeverisë për ndarjen e 2.5 milionë euro mbështetje për subvencionimin e kredive investuese për prodhuesit vendorë, Murati ka thënë se në secilën mbledhje po marrin vendime në mbështetje të ekonomisë.

“Dje ndamë edhe 2.5 milionë euro mbështetje për subvencionimin e kredive investuese, për prodhuesit vendorë, në kuadër të Masës 2.1. Në mbledhjen paraprake të Qeverisë, miratuam edhe lirimin nga dogana për disa lëndë të para si dhe për pjesët rezervë të makinerive prodhuese. Secilën mbledhje, vendime në mbështetje të prodhuesve, në mbështetje të ekonomisë. Rezultatet patjetër se nuk do të mungojnë – për herë të parë kemi mbi 410 mijë vende pune aktive, dhe numri i të rinjve të punësuar nën moshën 25 vjeç është dyfishuar. Qeveria për prodhuesit!” – ka shkruar ministri Murati në Facebook, të shtunën.