Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

OBSh: Furnizimi me oksigjen mjekësor në Ukrainë në një pikë shumë të rrezikshme

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) ka ngritur alarmin se situata e furnizimit me oksigjen është afër një pike shumë të rrezikshme në Ukrainë.

Sipas një deklarate të Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtor i përgjithshëm i OBSh-së dhe Henri P. Kluge, drejtor rajonal i OBSh-së për Evropën, brenda 24 orëve mund të shterojnë rezervat e oksigjenit në spitalet e Ukrainës,

“Kamionët nuk janë në gjendje të transportojnë furnizime me oksigjen nga fabrikat në spitalet në të gjithë vendin, përfshirë kryeqytetin Kiev. Shumica e spitaleve mund të shterojnë rezervat e tyre të oksigjenit brenda 24 orëve të ardhshme. Disa tashmë kanë mbaruar. Kjo vë në rrezik mijëra jetë”, thuhet në deklaratë.

Tutje, OBSh poashtu ka thënë  se prodhuesit e gjeneratorëve mjekësorë të oksigjenit në disa zona po përballen gjithashtu me mungesë të zeolitit, një produkt kimik thelbësor, kryesisht i importuar, i nevojshëm për të prodhuar oksigjen të sigurt mjekësor.

“Nevojiten gjithashtu dërgesa të sigurta të zeolitit nga jashtë Ukrainës në këto uzina. Duke shtuar rrezikun për pacientët, shërbimet kritike spitalore po rrezikohen gjithashtu nga mungesa e energjisë elektrike, dhe ambulancat që transportojnë pacientë rrezikojnë të kapen nga zjarri”, thuhet tutje aty.

OBSh ka bërë të ditur se  po ndihmon autoritetet shëndetësore të identifikojnë nevojat e menjëhershme të rritjes së furnizimit me oksigjen të vendit, duke supozuar një rritje prej 20% deri në 25% mbi nevojat e mëparshme përpara se kriza të përshkallëzohej javën e kaluar.

“Pavarësisht sfidave të paraqitura nga situata aktuale, OBSh po punon për të siguruar furnizim me pajisje mjekësore të lidhura me oksigjenin dhe furnizime për trajtimin e traumës”, thuhet tutje në deklaratë.

Sipas OBSh-së furnizimi i Ukrainës me oksigjen duhet të bëhet përmes Polonisë.

“OBSh po shikon në mënyrë aktive zgjidhje për të rritur furnizimet duke përfshirë importimin e oksigjenit (të lëngshëm dhe cilindra) nga rrjetet rajonale. Këto furnizime do të kishin nevojë për një tranzit të sigurt, përmes një korridori logjistik përmes Polonisë. Është e domosdoshme të sigurohet që furnizimet mjekësore që shpëtojnë jetë – përfshirë oksigjenin – të arrijnë tek ata që kanë nevojë për to”, thuhet në deklaratën e OBSh-së.

Sot, është dita e katërt e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe NATO-ja e dënuan sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse Rusinë.