Nuk u mundësua banimi me recepcion në konvikte gjatë korrikut, studentët ankohen se kjo gjë po u sjell telashe

 

Çdo vit për më shumë se tetë muaj studentëve nga Universiteti i Prishtinës të cilët jetojnë më larg se 25 kilometra nga Kryeqyteti u mundësohet strehimi në Qendrën e Studentëve në Prishtinë nga 1 tetori e deri në ditën e fundit të qershorit. E shpesh edhe pas kësaj periudhe dyert e njërit prej këtyre konvikteve vazhdojnë të mbesin të hapura edhe gjatë dy javëve të para të korrikut.

Një gjë të tillë e konfirmon NENI 15 në Rregulloren për strehimin e studentëve në konviktet e Qendrës Studentore, sipas të cilit gjatë 15 ditëve të para të korrikut, QS punon me një konvikt, nëse kërkesat nga studentët janë të mjaftueshme.

Mirëpo, këtë verë një gjë e tillë nuk ndodhi, pasi që në fund të qershorit QS doli me një njoftim përmes të cilit bëri të ditur se gjatë muajit korrik të këtij viti nuk do të ketë banim me recepcion gjatë muajit korrik 2022.

Një gjë e tillë doli të jetë pengesë për një pjesë të studentëve të cilëve u duhet të vazhdojnë qëndrimin në kryeqytet edhe pas përfundimit të vitit akademik.

Kështu, studenti Gramoz Shala ka thënë për KALLXO.com se mbyllja e konvikteve gjatë muajit qershor u sjell telashe studentëve.

Unë mund të flas duke u nisur së pari prej vetes se sa e dëmshme mund të jetë mbyllja e konvikteve në fund të muajit qershor pasi që së pari shpenzimet janë mjaft të mëdha sidomos për studentët që kanë një rrugë të gjatë për në shtëpi sikurse unë nga Prishtina deri në Istog”, ka thënë Shala i cili ka përmendur se një gjë e tillë sjellë probleme edhe tek studentët që kanë ende provime.

Së dyti, ka mjaft studentë të cilët nuk e kanë përfunduar ende vitin akademik dhe që paraqet problem e shpenzime që të vijnë në fakultet për t’iu nënshtruar provimeve”, ka vijuar ai.

Kjo situatë doli të jetë e pavolitshme edhe ndaj studentëve që punojnë. Një ndër ta është edhe studentja D.R. e cila ka rrëfyer për KALLXO.com se ajo i ishte gëzuar të drejtës për aplikim që të qëndroj në konvikt gjatë korrikut me ç ‘rast edhe e kishte shfrytëzuar këtë drejtë nën shpresën se kërkesa e saj dhe e studentëve të tjerë do të merrte një përgjigje pozitive.

Qëndrimi në konvikt edhe gjatë këtij muaji do më konvenonte jashtë mase, për shkak se mbaj praktikë dhe tash nuk është e mundur që me udhëtu çdo ditë prej Gjilanit deri në Prishtinë për shkak të shpenzimeve të shumta, dhe natyrisht që më duhet me i reduktu ardhjet në praktikë”,  ka thënë studentja D.R. e cila në vijim ka deklaruar se tashmë asaj i duhet të kërkoj një punë të re që t’i shmang shpenzimet që i sjell rruga e gjatë.

Tash duhet të gjejë një punë në komunën time që  t’i mbuloj shumicën e shpenzimeve të mia”, ka përmbyllur ajo.

Telashe të ngjashme ka deklaruar se do të ketë edhe studentja L.Z. e cila tashmë nuk ka se ku të banojë në Prishtinë por që është e detyruar të vazhdojë qëndrimin e saj në këtë qytet për shkak të punës praktike që ajo kryen.

Unë jam e detyruar që të gjej një zgjidhje pasi që për mua si studente është tejet e pavolitshme që të udhëtoj pesë ditë të javës nga Istogu për në kryeqytet, ngaqë një gjë e tillë jo vetëm që është shumë e kushtueshme në aspektin financiar por njëkohësisht edhe tejet e lodhshme”, ka thënë 21 vjeçarja për KALLXO.com.

Tutje, L.Z. ka thënë se një tjetër arsye që e ka shtyrë të aplikoj për qëndrim më të gjatë në konvikt është edhe fakti që pagat me të cilat paguhen praktikantët janë të pamjaftueshme që ata të qëndrojnë në banesa.

Banimi nëpër banesa është gjithashtu mjaft i kushtueshëm marrë parasysh se pagesat që u bëhen studentëve gjatë punës praktike janë vetëm pagesa formale, mirëpo, siç duket tash për tash kjo është e vetmja zgjidhje”, ka shtuar ajo.

Lidhur me këtë, KALLXO.com ka kontaktuar edhe Drejtorin e Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta i cili ka thënë se këtë vit vetëm 32 studentë janë lajmëruar për të vazhduar banimin edhe gjatë korrikut, me ç ‘rast sipas tij ky numër ka qenë i pamjaftueshëm.

Interesimi i studentëve ka qenë shumë i vogël, sepse ne gjatë muajit qershor i njoftojmë studentët dhe (ata) janë të obliguar të lajmërohen nëpër çdo konvikt se a janë të interesuar të vazhdojnë (banimin) edhe gjatë dy javëve të para të muajit korrik apo jo. Interesimi ka qenë aq i vogël sa që nuk ia vlen të aktivizohet një konvikt për ta zëmë 30 apo 32 studentë”, ka deklaruar Sfishta.

Tutje, i pari i kësaj Qendre ka treguar edhe numrin e studentëve që duhet të kenë interesim për banim gjatë korrikut që të realizohet një gjë e tillë.

Dikund 70-80, 100 veta. Duhet njëfarë arsyeshmërie, të ketë një farë fleksibiliteti”, është përgjigjur ai.

Në anën tjetër, Qendra Studentore ka njoftuar se gjatë verës objektet e konvikteve do të jenë të çashme për një sërë aktivitetesh siç janë:

  • Organizimi- strehimi i 700 pjesëmarrësve të Kampionatit Botëror të Hendbollit.
  • Vendosja e pjesëmarrësve të Universitetit Veror të UP-së.
  • Vendosja e pjesëmarrësve në Seminarin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

Ku ndër të tjera, është njoftuar se gjatë kësaj periudhe bëhen edhe renovimet nëpër konvikte në bazë të planifikimeve vjetore.

Mirëpo, Sfishta ka mohuar që këto aktivitete të kenë qenë arsye që studentëve këtë vit të mos u mundësohet qëndrim më i gjatë në konvikte.

Po janë edhe aktivitetet tjera, nëse kish pas interesim ne kemi mundur për dy javë ta caktojmë një pjesë të një konvikti edhe pse të gjitha janë në renovim.. por ne e kemi pasur parasysh se gjithmonë edhe në muajin korrik ka mundur të jetë një konvikt me studentë me recepsion”, ka deklaruar ai.