Nuk kalon rezoluta e partive opozitare kundër vendimit të ZRrE-së për shtrenjtim të rrymës

Me 20 vota pro, 42 kundër dhe një abstenim, rezoluta e propozuar nga partitë opozitare kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë nuk ka kaluar sot në Kuvendin e Kosovës.

“63 deputetë kanë votuar. 20 kanë votuar pro, 42 kundër dhe një abstenim, konsideroj se Kuvendi nuke ka lënë rezolutën e cila është propozuar në debatin parlamentar për vendimin e ZRrE-së për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike”, ka konstatuar kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Tri partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës më 9 shkurt 2022 kishin mbledhur 40 nënshkrime për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme, debat parlamentar lidhur me vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, për shtrenjtimin e rrymës.

Rezoluta e partive opozitare përmbante këto pika:

  1. Vendimi i ZRrE-së për ngritjen e çmimit të energjisë të anulohet sa më parë
  2. Kuvendi i Kosovës të inicoi shkarkimin e Bordit të ZRrE-së për mungesë profesionalizmi
  3. Qeveria të subvencionoi çmimin e energjisë elektrike linearisht për të gjithë qytetarët dhe bizneset
  4. Qeveria të heq TVSH për energjinë elektrike deri në përfundim të krizës energjetike
  5. Qeveria të angazhohet për themelimin e fondit për konsumatorët në nevojë ashtu siq e obligon ligji për energjinë
  6. Të nisin konsultimet për tarifat e reja që duhet të jenë pjesë e strategjisë që duhet të jenë pjesë e strategjisë afatgjate të energjisë, ndërtimit të kapaciteteve dhe stabilitetit të furnizimit.

Ndërkaq, rezoluta e 26 janarit të 2022-tës e propozuar nga PDK-ja për mosshtrenjtim të rrymës është tërhequr nga votimi me kërkesë të kryetarit të këtij grupi parlamentar, Abelard Tahiri.