Njësia K9 e Policisë, ende nuk është dërguar në vendin e ngjarjes në Gllogjan

Ekipe të shumta policore, njësitë të ndryshme të hetuesve, forenzika, krerë të prokurorive kanë dalë në vendin e ngjarjes pas atentatit që ka ndodhur në orët e mbrëmjes së sontme në fshatin Gllogjan të Deçanit.

Por edhe pse hetimet janë duke u kryer dhe koha vazhdon të jetë me shi, Policia e Kosovës ende nuk ka vënë në funksion njësitë e specializuara të njohura si K-9, të cilat kanë në dispozicion edhe qentë e dresuar.

Kjo njësi ndihmon në zbulimin e rasteve të ndryshme, kryesisht ato më delikate, përfshirë rastet me narkotik, eksploziv, tërmetet etj. Qentë e Policisë janë të trajnuar të zbulojnë prova apo materiale të ndryshme që lidhen me vepra të shumta penale.

Në vendin e ngjarjes në Gllogjan deri më tani nuk është parë kjo njësi e specializuar.

Ekipi i KALLXO.com po vazhdon të qëndrojë në vendin e ngjarjes ku ndodhi atentati me fatalitet për tre qytetar.

Gjithashtu ekipi i KALLXO.com po raporton se në vendngjarje ka dalë edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.