IKShPK

Një rast me ethe të minjve në Kosovë, IKSHPK apelon qytetarët të kenë kujdes në ushqim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka apeluar për kujdes në konsumim të ushqimeve pasi një qytetar është diagnostikuar si rasti i parë me ethe të minjve këtë vit në Kosovë.

IKSHPK apelon prindërit të kujdesen për fëmijët e tyre kundër etheve të minjve, po ashtu të ruhen ushqimet nga minjtë dhe të mos konsumohen fruta mali të palara sepse mund të infektohen.

Për çdo vit paraqiten raste sporadike, të cilat në Kosovë më shumë janë të përhapura, në rajonin e Dukagjinit, rajonin e Karadakut dhe rajonin e Shalës, varësisht nga shumimi i minjve, njofton Instituti.

“Sëmundja përhapet me ushqim, me aerosole dhe me kontakt. Rastet me ethe hemorragjike me sindromën renale sporadike janë të palidhura mes veti dhe nuk ka ndonjë shpërthim epidemik mes tyre, por pakujdesi gjatë ruajtjes së ushqimit dhe konsumimi i manave të palara mund të shkaktojë sëmundje vdekjeprurëse”, thuhet në njoftimin IKSHPK.

IKSHPK ka renditur masat parandaluese nga ethet e minjve:

  1. Pengimi i futjes së brejtësve në shtëpi dhe stane.
  2. Ruajtja e ushqimit nga ekskretet e brejtësve.
  3. Përpunimi termik i artikujve ushqimor të dyshimtë.
  4. Frytet e pyllit mos të konsumohen pa u pastruar.
  5. Djathit të freskët t’i shtohet kripë dhe mos tē konsumohet si i freskët nëse dyshohet se është kontaminuar.
  6. Gjatë punës në fushë të punohet me maska nëse vërehet shtim të brejtësve.
  7. Larja e duarve me ujë dhe sapun te kosarët dhe punëtorët tjerë të fushës para ngrënies.
  8. Mos hidhni mbeturina kudo.
  9. Të bëhet klorimi i ujit të pijes.
  10. Zhdukja e vatrave natyrore të brejtësve.
  11. Dezinfektimi i sipërfaqeve të kontaminuara nga ekskretet e brejtësve.