I infektuari nga ethet e minjve një 8 vjeçar, gjendja e tij për momentin është stabile

Një fëmijë tetë vjeçar është duke u trajtuar në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Ai është infektuar nga ethet e minjve.

Arben Vishaj, U.D në Klinikën Infektive, tha se për momentin gjendja e tij është stabile, mirëpo edhe më tutje është e rëndë.

“Për momentin gjendja e fëmijës është stabile, por edhe më tutje është e rëndë”, tha ai në një prononcim për KALLXO.com.

Vishaj potencon se infeksioni ka ardhur nga kontakti i fëmijës me zona të kontaminuara nga minjtë.

“Fëmija ka qëndruar një javë në Bjeshkët Deçanit, të cilat janë endemike për ethe të minjve”, sqaroi ai.

Infektologu, gjithashtu shtoi se muaj më parë, dy qytetarë të moshës së rritur, kanë qenë të infektuar me këto ethe, mirëpo tashmë janë shëruar.

Trajtimi i tyre, ai thotë se është bërë në Klinikën e Nefrologjisë, pasi Klinika Infektive ka qenë e aranzhuar vetëm për pacientët me COVID-19. Vishaj thotë se për trajtimin e tyre, infektologët kanë shkuar në Klinikën e Nefrologjisë për t’i dhënë tretman mjekësor.

Simptomat e etheve të minjve

Sa i përket simptomave të etheve të minjve, Vishaj sqaron se pacientët e infektuar me këtë virus në mes të tjerash ndihën të lodhur e kanë probleme hemorragjike.

“Kanë lodhje, plogështi, ethe, dhimbje të shpinës, pengesa në urinim, dhimbje gjatë urinimit, manifestime hemoragjike të hundës e gjakderdhje gjatë urinimi”, thotë ai.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, ka apeluar te prindërit që të kujdesen për ushqimin që fëmijët e konsumojnë.

“Mos përdorni fruta mali të palara sepse mund të sëmureni nga ethet e minjve! KUJDES!”, thuhet në apelin e Institutit.

Rekomandimet e plota të IKShPK-së:

Ethet e minjve Prindër të nderuar!

Kujdesuni për fëmijët tuaj!

Ruani ushqimet nga minjtë!

Mos përdorni fruta mali të palara sepse mund të sëmureni nga ethet e minjve! KUJDES!

Duke qenë se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike përcjell situatën epidemiologjike me ethet e minjve, për çdo vit paraqiten raste sporadike, të cilat në Kosovë janë të përhapura, në rajonin e Dukagjinit, rajonin e Karadakut dhe rajonin e Shalës, varësisht nga shumimi i minjve, në laboratoret e mikrobiologjisë diagnostikuam rastin e parë sivjet me ethe të minjve!

Burimi i infeksionit janë minjtë. Sëmundja përhapet me ushqim, me aerosole dhe me kontakt. Rastet me ethe hemorragjike me sindromën renale sporadike janë të palidhura mes veti dhe nuk ka ndonjë shpërthim epidemik mes tyre, por pakujdesi gjatë ruajtjes së ushqimit dhe konsumimi i manave të palara mund të shkaktojë sëmundje vdekjeprurëse.

Në organizmin e njeriut shkaktari hy përmes tri portave hyrëse: trakti respirator, trakti tretës dhe përmes lëkurës.

Trajtimi i sëmundjes bëhet me sukses të plotë në Klinikën Infektive në qoftë se paraqiten me kohë. Nëse të sëmurët kërkojnë ndihmë me vonesë paraqiten komplikime, e që mund të bllokohen veshkat.

Klinika Interne, gjegjësisht repartet e dializës janë të gatshme që të hemodializojnë përkohësisht pacientët. Ndërsa, Instituti Kombëtar me laboratorët e vet, e diagnostikon sëmundjen brenda ditës.

Masat parandaluese

  1. Pengimi i futjes së brejtësve në shtëpi dhe stane.
  2. Ruajtja e ushqimit nga ekskretet e brejtësve.
  3. Përpunimi termik i artikujve ushqimor të dyshimtë
  4. Frytet e pyllit mos të konsumohen pa u pastruar
  5. Djathit të freskët t’i shtohet kripë dhe mos tē konsumohet si i freskët nëse dyshohet se është kontaminuar
  6. Gjatë punës në fushë të punohet me maska nëse vërehet shtim të brejtësve
  7. Larja e duarve me ujë dhe sapun te kosarët dhe punëtorët tjerë të fushës para ngrënies
  8. Mos hidhni mbeturina kudo
  9. Të bëhet klorimi i ujit të pijes
  10. Zhdukja e vatrave natyrore të brejtësve
  11. Dezinfektimi i sipërfaqeve të kontaminuara nga ekskretet e brejtësve.

Po ashtu, vendi është duke u ballafaquar edhe me virusin corona.

Gjatë 24 orëve të fundit në vend janë shënuar edhe 263 raste pozitive me SARS-CoV-2.

Aktualisht janë 2 mijë e 271 raste aktive me virusin corona.