Një prokuror paraguaian anti-mafia vritet në muajin e mjaltit në Kolumbi

Një prokuror i profilit të lartë paraguaian që luftoi kundër krimit të organizuar në vendin e tij është qëlluar për vdekje gjatë muajit të mjaltit në Kolumbi.

Marcelo Pecci ishte në një plazh në ishullin idilik turistik Baru kur u vra nga dy persona të armatosur, raporton BBC.

Disa orë para të shtënave, gruaja e Pecci-t kishte njoftuar në Instagram se ishte shtatzënë.

Presidenti i Paraguajit, Mario Abdo Benitez, i përshkroi të shtënat si një “vrasje frikacake”.

Gruaja e tij, gazetarja Claudia Aguilera, tha se u afruan dy burra në një plazh privat para se burri i saj të qëllohej. Ajo tha se nuk kishte marrë asnjë kërcënim.

“Dy burra sulmuan Marcelon. Ata erdhën me një varkë të vogël ose me një ski jet, e vërteta është që nuk e pashë mirë”, tha zonja Aguilera për gazetën El Tiempo.

Një nga sulmuesit doli dhe “pa fjalë ai qëlloi dy herë Marcelon, një [plumb] e goditi në fytyrë dhe një tjetër në shpinë”, tha ajo.

Hoteli Decameron, ku çifti po qëndronte, tha në një deklaratë se “vrasësit mbërritën në plazh… dhe sulmuan dhe vranë një nga mysafirët tanë”.

Prokurori paraguaian Augusto Salas, një koleg i prokurorit Pecci, tha se sulmi dukej “tipik i mafias [së drogës], kështu që unë do të mendoj kështu deri sa të vërtetohet e kundërta”, sipas agjencisë së lajmeve AFP.

Kreu i policisë kolumbiane dhe hetuesit nga Paraguaj kanë shkuar në vendin e vrasjes.

Zyrtarët nga Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë gjithashtu hetimin, tha shefi i policisë kombëtare të Kolumbisë, gjenerali Jorge Luis Vargas.

Pecci ishte i specializuar në krimin e organizuar, trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe financimin e terrorit.

Në vitin 2020 ai punoi në një çështje kundër ish-futbollistit brazilian Ronaldinho, i cili u arrestua duke u përpjekur të hynte në Paraguaj me një pasaportë të rreme paraguajane.

“Vrasja frikacake e prokurorit Marcelo Pecci në Kolumbi trishton të gjithë kombin paraguaian”, shkroi presidenti paraguaian Marcelo Abdo në Twitter.

“Ne e dënojmë këtë ngjarje tragjike dhe dyfishojmë angazhimin tonë në luftën kundër krimit të organizuar.”