Zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe Përfaqësuesi special i BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, 22 shkurt 2022, Foto: Zyra e Kryeministrit e Kosovës

Një ditë pas takimit, Qeveria jep detaje për temat e diskutuara në Bruksel

Një ditë pas takimeve në Bruksel, Qeveria e Kosovës ka dalë me komunikatë për media.

Në këtë njoftim, konfirmohet se zëvendëskryeministri i së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, dje gjatë ditës zhvilloi takime dypalëshe me Përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Sipas ekzekutivit, në këto takime u diskutua për çështjen e personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë, për ndjeshmërinë dhe urgjencën e një zgjidhjeje sa më të shpejtë.

“U fol për energjinë në kuadër të marrëveshjes ekzistuese. Diskutimet me Bashkimin Evropian në këtë fushë kanë shënuar progres, megjithatë mbeten ende detaje për t’u trajtuar”, thuhet tutje në komunikatën e Qeverisë.

Çështje tjetër e diskutimit thuhet se ishte edhe ajo e targave të veturave.

“Grupet teknike kanë filluar të finalizojnë propozimet e tyre përfundimtare. Takimet e grupeve teknike do të vazhdojnë deri në përzgjedhjen përfundimtare të opsioneve sipas standardeve dhe praktikave të Bashkimit Evropian”, theksohet në njoftim.

Takimet e së martës në Bruksel përfunduan pa takim trepalësh mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të BE-së. Nuk dihet ende se pse nuk është mbajtur takimi mes të dyja palëve Kosovë-Serbi.

Se pse nuk ka pasur takim trepalësh në Bruksel, KALLXO.com ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.