Trepça, Foto: KALLXO.com

Një ditë pas lëndimit të minatorëve, ‘Trepça’ jep kontratë për sigurimin e tyre në punë

Ndërmarrja ‘Trepça Sh.A’, nëpërmjet platformës për prokurimin publik në Kosovë ka njoftuar më 18 janar se ka përzgjedh kompaninë me të cilën pritet të nënshkruhet kontrata për shërbime të sigurimit të punëtorëve në rast të aksidenteve në punë.

Me 22 dhjetor të vitit të kaluar, Trepça  Sh.A kishte iniciuar tenderin me titull “Shërbimet e sigurimit të punëtorëve të Trepçës ndaj aksidenteve në punë”, për të cili aktivitet kishte parashikuar të nënshkruante kontratë me kohëzgjatje 12 muaj në vlerë deri 65,000 euro.

Për këtë aktivitet të prokurimit,  procedura e hapur ishte lloji i procedurës së prokurimit I përdorur në këtë aktivitet, ndërsa si kriter ishte vendosur çmimi më i ulët.

Për të ofruar këto shërbime, ishte pranuar vetëm një tender, kompania  ‘Sigma Interalbanian Vienna Group Sh.A- Dega në Kosovë’ kishte ofertuar me çmim të përgjithshëm të kontratës 64,838 euro.

Në shërbimet e sigurimit është paraparë në rast të vdekjes aksidentale, përfitimet  për paftësi të përhershme të plotë, përfitime ditore për paaftësi të përkohshme të plotë, përfitimet vjetore për shpenzimet mjekësore për indvid.

Në këtë sigurim përfshihen punëtorë brenda në minierë, punëtorët në sipërfaqe, punëtorë të rojës-sigurimit, dhe punëtorët e administratës.

Më 17 janar 2024, KALLXO.com raportoi që 13 minatorë të Trepçës në Stan Tërg janë lënduar pasi shpërthimit të një cisterne me acid..

Lidhur me ngjarje ka reaguar edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia i cili ka thënë se 11 nga minatorët janë liruar nga spitali pas trajtimit mjekësor.

Ndërsa dy të tjerë, të cilët kanë lëndime në sy, janë ende nën mbikëqyrje dhe kujdesin mjekësor.