Ngritet aktakuzë ndaj shtetasit të Shqipërisë, tentoi të hyjë në Kosovë pa certifikatë të vaksinimit dhe 50 euro ryshfet

Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetasi të Shqipërisë nën dyshimin se i njëjti ka ofruar ryshfet për kalim të kufirit Shqipëri – Kosovë.

Sipas prokurorisë, i pandehuri R.C., më 12 dhjetor 2021, në kufirin Shqipëri -Kosovë, kur është afruar për kontroll, duke e ditur që nuk ka certifikatë të vaksionimit, në lejen e qarkullimit ka vendosur një kartmonedhë prej 50 euro dhe ia ka dhënë zyrtarit policor Sh.M.

“Në momentin kur zyrtari policor vëren paratë dhe e pyet se çfarë janë këto para ai përgjigjet: I ka lënë për të, nuk ka certifikatë vaksinimit, nëse ka mundësi që t’u lejohet hyrja”, thuhet në akuzë.

Me këtë veprim sipas prokurorisë, i pandehuri R.C., ka kryer veprën penale dhënia e ryshfetit.

Prokurori, me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propuzuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.