Pika e përbashkët e kalimit kufitar Shqipëri-Kosovë në Morinë të Kukësit. Foto: Bashkim Shala

Masat e reja anti-COVID në Kosovë, dhjetra qytetarë të Shqipërisë kthehen mbrapsht në Morinë

Një numër i madh udhëtarësh janë kthyer sot paradite në pikën kufitare të Morinës duke mos u lejuar të futen në Kosovë për shkak të rregullave të reja të aplikuara në Kosovë në kuadër të masave kundër COVID-19.

Gazetari i ABC raportoi nga Morina se numri i të kthyerve është i madh, ndërsa masat kanë hyrë në fuqi sot duke bërë që një pjesë e mirë e qytetarëve të mos jenë në dijeni.

“Unë vaksinën e dytë e kam bërë sëfundmi dhe sipas rregullit s’mund të bëj vaksinë tjetër tani, të paktën deri në mars. Këta më kërkojnë vaksinë të tretë ose PCR. Për të bërë test PCR duhet që të shkosh të paguash 30 euro”, tha një qytetar për ABC.

Një shofer furgoni që transporton udhëtarë u shpreh se nuk kishte qenë në dijeni të këtij rregulli të vendosur nga qeveria e Kosovës.

“Unë i kam të gjithë udhëtarët me nga dy vaksina. Tani na kërkojnë edhe PCR ose vaksinën e tretë. Nuk isha në dijëni të një urdhri të tillë që thonë se ka hyrë në fuqi mbrëmë”, tregon ai duke shtuar se ishin nisur për të vizituar një zonë në Kosovë.

Qeveria e Kosovës vendosi masa të reja kundër coronavirusit dje duke limituar numrin e udhëtarëve që futen në Kosovë. Masat po ashtu prekin edhe aktivitetin e gastronomisë.

Masat e reja anti-COVID, kanë hyrë në fuqi prej sot dhe vlejnë deri më 4 shkurt.

Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme:

– Certifikatën e vaksinimit me tri doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen dhe dozë përforcuese) kundër COVID-19;

– Certifikatën e vaksinimit me dy doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen) kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore)./ABCNews.al