Albin Kurti dhe Elizabeth Allen, foto ZKM KS

Nga Radoiçiqi e deri te Këshilli i Europës, detajet nga takimi i Kurtit me nënsekretaren amerikane

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim nënsekretaren e Departamentit të Shtetit amerikan për Çështje dhe Diplomaci Publike, Elizabeth Allen.

Sipas njoftimit të Kryeministrisë, ai i uroi mirëseardhje nënsekretares Allen, e cila po e viziton Kosovën për herën e saj të parë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleatja, mikja dhe partnerja jonë historike, aktuale dhe e së ardhmes, andaj presim që të fuqizojmë dhe thellojmë bashkëpunimin bilateral, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe tregtisë”- citohet të ketë thënë Kurti në fillim të takimit.

Në takim, kryeministri ngriti “brengën e tij mbi kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës, edhe për faktin që autori dhe lideri i grupit të terroristëve dhe paramilitarëve që ekzekutuan sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë, Millan Radoiçiq, vazhdon të jetë i lirë në Serbi”.

U diskutua edhe për raportet Kosovë-Serbi dhe procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Për këtë çështje, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë e të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe aneksit të saj.

Sa i përket rrugëtimit të Kosovës në integrimet evropiane, ai shprehu keqardhjen e tij që Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës nuk pati gatishmëri që ta përfshijë Kosovën në agjendën e votimit të 17 majit,

“… duke marrë parasysh se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e anëtarësimit në këtë organizatë, siç është konfirmuar edhe nga instancat e vetë kësaj organizate, përfshirë Asamblenë Parlamentare, dhe kur dihet që anëtarësimi i ynë do t’i kontribuonte forcimit dhe promovimit të të drejtave të njeriut” – thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Mes tjerash thuhet se gjatë bashkëbisedimit, kryeministri Kurti e njohu nënsekretaren Allen me zhvillimet e fundit në vend, “me progresin e shënuar në vitet e fundit në sundimin e ligjit dhe indikatorët ekonomikë dhe demokratikë, me politikat sociale që mbështesin gratë dhe fëmijët, reformën në arsim me qëllim ndërlidhjen e arsimit me tregun e punës, dhe me politikat dhe investimet në sektorin e energjisë”.

Ndërkaq, nga ky takim me Kurtin, Allen shkroi në rrjetin e saj social “X” se vlerëson diskutimin “gjithëpërfshirës” që pati me kryeministrin.

Ajo më 19.05.2024 shkroi se Kosova bën pjesë në BE dhe në NATO dhe se kërkojnë zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut.

“Vlerësoj diskutimin gjithëpërfshirës me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti. Kosova bën pjesë në BE dhe në NATO. Ne kërkojmë zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve që kanë bërë Kosova dhe Serbia në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja” – ka shkruar ajo.

Ndërkaq, paraprakisht, nënsekretarja amerikane, Elizabeth Allen, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, ka thënë se ka ritheksuar se “mund të mbështesin trajektoren e Kosovës drejt institucioneve evropiane dhe euroatlantike kur kemi një funksionim dhe koordinim të ngushtë”.

Allen tha se diskutuan “hapin thelbësor në rrugën euro-altantike të Kosovës për të ecur përpara me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”.

“Ne folëm edhe për çështjen kritike të rrugës evropiane dhe euroatlantike të Kosovës. E ritheksova se ne mund të mbështesim më së miri trajektoren e Kosovës drejt institucioneve evropiane dhe euroatlantike kur kemi një funksionim dhe koordinim të ngushtë. Dhe e di që kjo çështje ka një rëndësi të madhe edhe për ju, Presidente Osmani. Diskutuam hapin thelbësor në rrugën euro-altantike të Kosovës për të ecur përpara me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe”