Komisioni i Pavarur per Media/KPM
ZKA: KPM-ja funksionin me ushtrues detyre të kryeshefit ekzekutiv që nga viti 2021
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) për vitin 2023.
ZKA ka gjetur se Komisioni i Pavarur për Media që nga 01.07.2021 funksionon me ushtrues të detyrës së kryeshefit ekzekutiv.
“Pozita e Kryeshefit Ekzekutiv të KPM funksionon me ud/zëvendësues për një periudhë të gjatë, saktësisht nga 1 korriku i vitit 2021”- thuhet në raportin e ZKA-së.
Aktualisht ud.kryeshef i KPM-së është Faruk Rexhaj.
Sipas ZKA-së, KPM-ja nuk ka marrë masa që pozitat të cilat janë vakante dhe që janë duke funksionuar me ushtrues detyre apo zëvendësues të plotësohen sipas procedurave ligjore.
Mbulimi i pozitave të rëndësishme me ushtrues detyre për një kohë të gjatë, sipas ZKA-së, rrit rrezikun e mosarritjes së objektivave dhe përformancave.
Në raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komisionit të Pavarur për Media për vitin 2023 ZKA ka dhënë opinion të pamodifikuar për pasqyrat financare vjetore. Auditori e jep opinionin e pamodifikuar kur pasqyrat financiare janë në përputhje me standardet.
Në këtë raport thuhet se në vitin 2023, KPM ka shpenzuar gjithsej 757 mijë e 465 euro.