Stamboll - Foto: REL/Shutterstock

Nga nesër kosovarët që ia mësyjnë Turqisë duhet të kenë të bërë testin PCR për COVID-19

Autoritetet turke kanë forcuar masat për të parandaluar përhapjen e coronavirusit.

Një prej këtyre masave parasheh që personat që hyjnë në Turqi duhet të kenë të kryer testin PCR me rezultat negativ.

Kështu ka bërë të ditur Ambasada e Kosovës në Ankara.

Sipas njoftimit të Ambasadës, qytetarët e Kosovës nga nesër nuk do të lejohen të hypin në aeroplan nëse nuk e kanë rezultatin negativ të testit PCR për COVID-19.

Ndërsa, sa i përket udhëtimit në rrugë tokësore apo detare, nëse udhëtarët nuk paraqesin testin negativ tek autoritetet zyrtare gjatë hyrjes në pikat kufitare, është kusht të karantinohen në adresën që do të deklarojnë (shtëpi, hotel, etj.).

Për hyrjet përmes tokës apo detit vendimi hyn në fuqi më 30 dhjetor.

Ky rregull do të zbatohet deri më 1 mars 2021.

Ky është njoftimi i plotë i Ambasadës së Kosovës në Ankara:

Njoftim me rëndësi për udhëtimin në Turqi:

Me qëllim të kontrollit të numrit të rasteve të COVID-19 dhe në kuadër të masave të reja në Turqi, të gjithë ata që do të udhëtojnë drejt Turqisë në rrugë ajrore (me aeroplan), duke filluar nga data 28.12. 2020, dhe nëpërmjet rrugëve tokësore apo detare që nga data 30.12.2020, para hyrjes së tyre në Turqi duhet të jenë të pajisur me rezultatin negativ të testit SARS-CoV-2 PCR të kryerë brenda shtatëdhjetë e dy orëve (72 orë) të fundit.

Ata që nuk kanë test PCR negativ nuk do të lejohen të hipin në aeroplan për të udhëtuar në Turqi. Pra, për udhëtimin në rrugë ajrore, testi negativ është kusht të paraqitet në momentin  e udhëtimit.

Sa i përket udhëtimit në rrugë tokësore apo detare, nëse udhëtarët nuk paraqesin testin negativ tek autoritetet zyrtare gjatë hyrjes në pikat kufitare, është kusht të karantinohen në adresën që do të deklarojnë (shtëpi, hotel, etj.). Në rast se nuk kanë një vend për të qëndruar, duhet të karantinohen në vendet që do të përcaktohen nga Drejtoritë e Shëndetit Krahinor. Në fund të 7 ditëve të karantinës, do t’u bëhet testi PCR, dhe sipas rezultatit karantina 7-ditore do të përfundojë, ose do të vazhdojë trajtimi i tyre më tej në përputhje me Udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë së Turqisë.

Ky rregull do të zbatohet deri më 1 mars 2021.