Nesër mund të fillojë numërimi i 31,500 votave me kusht

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka thënë se nesër mund të fillojë numërimi i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta.

“Po punojmë shumë që nesër gjatë ditës të mund të fillojmë me numërimin e rreth 31 mijë e 500 votave me kusht dhe dhe rreth 2 mijë e 800 votave të personave me nevoja të veçanta. Pastaj, edhe numërimin e votave të cilat kanë ardhur përmes postës”, ka deklaruar Elezi.

Ai ka njoftuar se ka përfunduar vlerësimi i të gjitha pakove të supozuara me fletëvotime që kanë ardhur nga jashtë Kosovës.

“Shërbimi Votues i KQZ-së të premtën në mesnatë ka përmbyllur procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat kanë ardhur gjatë periudhës së votimit përmes postës nga 2 deri më 12 shkurt”, ka deklaruar Elezi.

Sipas të dhënave preliminare, janë aprovuar rreth 53 mijë e 600 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar rreth 20 mijë e 400 zarfe.

“Këto janë vetëm të dhëna preliminare, sepse Shërbimi Votues është duke rishikuar bazën e të dhënave nga ku do të kemi të shifra e sakta dhe përfundimtare të numrit të fletëvotime nga jashtë vendit të cilat do të numërohen këtu në QNR”, ka potencuar Elezi.

Aktualisht në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke u bërë rinumërimi i vendvotimeve për të cilat ka marrë vendim Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Deri më tani janë rinumëruar rreth 88% e vendvotimeve.