Nënkryetari i Gjilanit: Personat e infektuar me coronavirus në gjendje stabile

Tre të prekurit me coronavirus nga Gjilani janë në gjendje të mirë dhe stabile.

Kështu ka bërë të ditur nënkryetari i kësaj komune, Arbër Ismajli pas mbledhjes së Komisionit për Emergjenca për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.

“Të prekurit dhe familjet e tyre janë në gjendje të mirë dhe të qetë, pavarësisht të prekurve, të cilët kanë shënuar simptoma pozitive me këtë virus. Do të jemi në kontakte të vazhdueshme me banorët e këtyre dy fshatrave, duke u munduar që bashkë t’iu dalim në krahë me mundësitë tona”, ka thënë ai.

“U bëjmë thirrje banorëve të Vrapqiçit e Zhegrës, t’i respektoni rregullat strikte të ngritura nga institucionet komunale, por, edhe të atyre shtetërore. Qëndroni të vetizoluar, me kontroll të shtuar të higjenës, për ta tejkaluar këtë gjendje me të cilën po ballafaqoheni si fshat, por edhe si komunë në tërësi. Virusi nuk mund të qarkullojë, kur nuk qarkullojnë njerzit”, ka deklaruar Ismajli.

Sipas një njoftimi për media në takimin e Komisionit të Emergjencës është vlerësuar se gjendja e përgjithshme në Gjilan është e qetë.

“Po vazhdojmë me takimet e rregullta, në vazhdën e aktiviteteve tona të përbashkëta në luftimin kundër shtrirjes së kësaj sëmundje, me përfaqësuesit e Komisionit komunal për emergjenca, Policinë e Kosovës, e shëndetësinë primare. Po bëhet idetifikimi i personave të ardhur nga jashtë shtetit, për t’i identifikuar dhe për t’i udhëzuar për vetizolim dhe procedura tjera”, ka shtuar Ismajli.

Në këtë takim, drejtori i Shërbimeve Publike, Naser Korça, ka njoftuar se të martën sërish do të pastrohen rrugët e Gjilanit.

Numri i të infektuarve me coronavirus në Kosovë është 33, kurse 3 prej tyre janë nga Komuna e Gjilanit.