ILUSTRIM- Xhami në Prishtinë. Foto: Denis Sllovinja/Kallxo.com

Nën hijen e minareve, selefistët përballen me akuza për radikalizëm

Çdo të premte, imami Shaban Tolaj drejton një numër të madh të besimtarëve myslimanë – siç thotë ai, deri në 200 – teksa fal namazin në Xhaminë e Re në Deçan.

Dyzetedyvjeçari Tolaj thotë se ai praktikon metodën selefiste të predikimit të islamit, por shton se selefizëm nuk duhet të cilësohet “islami politik, radikal ose i dhunshëm”.

“Grushtshtetet, protestat, rrëmujat, futja në politikë, nuk janë pjesë e selefizmit të pastër. Do të thotë, këto nuk janë pjesë të selefizmit. Por, tash, viteve të fundit, nuk ka dyshim që janë shfaqur shumë rryma, shumë grupe dhe gjithsecili prej tyre pretendon dhe thotë ‘ne jemi selefistë’. Por, kjo nuk është e vërtetë”, thotë Tolaj.

Për dallim nga Tolaj, Raporti i sivjetmë i progresit për Kosovën, i publikuar nga Komisioni Evropian, e cilëson selefizmin si njërin nga kërcënimet me të cilat përballet Kosova.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se përfundimi i nxjerrë në raport për kërcënimin nga “ideologjia militante selefiste” bazohet në burime të ndryshme.

“Sipas vlerësimit të [Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunim dhe Sundim të Ligjit] EUROPOL-it, grupet dhe individët selefistë që mbrojnë interpretimet ultrakonservatore dhe ekstremiste të islamit janë identifikuar si shtytësit kryesorë të radikalizimit në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Policisë së Kosovës me pyetjet se a ka evidentuar individë apo grupe eventuale me ideologji militante selefiste në Kosovë, si dhe a mbikëqyren ata nga organet e rendit. Por, deri në publikimin e këtij artikulli, policia nuk ka kthyer përgjigje.

Sociologu i religjionit, Ismail Hasani, thotë se selefizmi në Kosovë nuk është ideologji militante sepse, sipas tij, nuk ka ndonjë ideolog që e ushqen atë.

Sipas Hasanit, selefizmi është lëvizje për ta rikthyer islamin në variantin që ata e shohin si “të pastër” dhe të formës “të cilën e ka predikuar Muhamedi”, i cili, sipas besimit islam, konsiderohet profeti i fundit për njerëzimin.

Çka është selefizmi?

Fjala “selef” në gjuhën arabe e ka kuptimin “të parët” dhe u referohet tri gjeneratave të para të myslimanëve apo pasuesve të profetit Muhamed, shpjegon imami Tolaj.

Ndjekësit e rrugës së këtyre tri gjeneratave, sipas tij, quhen “selefi”. Ndërkaq, siç thotë ai, brenda selefizmit janë katër drejtimet apo shkollat e islamit sunit: hanefi, maliki, shafi dhe hanbali.

Sociologu Hasani thotë se vetë lëvizja selefiste e ka burimin në Arabinë Saudite dhe shton se, nga i njëjti vend, buron edhe lëvizja dhe ideologjia vehabiste. Sipas Hasanit, vehabizmi ushqen imponimin më radikal dhe ekstrem të islamit.

Vehabizmi është një lëvizje fetare, ose degë e islamit, e zhvilluar në shekullin XVIII në Arabinë Saudite nga teologu mysliman, Muhamed in Abd al-Vahab. Në enciklopedinë Britannica, kjo lëvizje përshkruhet si një formë më e rreptë e islamit që insiston në interpretimin fjalë për fjalë të Kuranit.

Si duken selefitë dhe si veprojnë?

Sociologu Hasani thekson se ata që e quajnë veten selefistë tentojnë ta ndjekin atë që e perceptojnë si shembull të veshjes së profetit Muhamed.

Ndryshe, nga “vehabistët” – që sipas Hasanit, te gratë aplikojnë “burkan” (një veshje që mbulon trupin e kokën, e pastaj edhe sytë përmes një rrjete) – gratë selefiste mbajnë veshje bashkëkohore, shumëngjyrëshe, por që bazohen në parimet “ekstreme fundamentale të islamit”.

Meshkujt, sipas Hasanit, bartin veshje modeste, me pantallona të shkurtuar “sipas formës tre të katërtat (mbi kyçet e këmbës) dhe me mjekra të kuruara”.

“Në hapësira publike, këta pjesëtarë të kësaj lëvizjeje, përpiqen që të ngulitin idetë e veta, pikëpamjet e veta edhe brendapërbrenda komunitetit. Për dallim prej ‘vehabistëve’, të cilët janë më të egër në trysninë në raport me ndërrimin e ritualeve fetare që kryhen brenda institucioneve fetare – në xhami – te selefistët është situata pak më ndryshe. Ata veprojnë edhe brendapërbrenda entitetit zyrtar, brenda Bashkësisë Islame të Kosovës”, thekson Hasani.

Xhamia e Re në Deçan, imam i së cilës është Shaban Tolaj, vepron nën ombrellën e Bashkësisë Islame të Kosovës, që ka për qëllim organizimin e jetës fetare të rreth 95 për qind të popullsisë së Kosovës që i takon besimit islam.

Kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Deçan, Rasim Bytyçi, thekson se BIK-u përpiqet t’i mbajë nën menaxhim të gjitha xhamitë në Kosovë.

“Ne mundohemi t’i mbajmë brenda Këshillit, sepse nëse i nxjerr jashtë institucionit, atëherë ata t’i merr tjetërkush”, thotë Bytyçi, po pa saktësuar se për kë e ka fjalën.

Megjithatë, ai shton se Këshilli i Bashkësisë Islame në Deçan e vlerëson punën që imami Tolaj e ka bërë për të luftuar, siç thotë ai, ekstremizmin e dhunshëm fetar.

“Tash, se në çfarë fryme dhe si ligjëron, këtë e vlerësojnë edhe të tjerët. Mirëpo, në luftimin e ekstremizmit, ai e ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm”, thekson Bytyçi.

Vetë imami Tolaj nuk e përjashton mundësinë që dikush që e quan veten selefist të “rrëshqasë” në radikalizëm dhe ekstremizëm fetar.

“Unë, asnjëherë nuk guxoj t’i mbroj individët. Unë gjithmonë e mbroj parimin e fesë. Për shembull, mund të më pyesni, ‘a ka mysliman të keq’? Ka mysliman të keq, sepse nuk e praktikon fenë. A ka parime të fesë të gabuara? S’ka. Feja është e pastër si kristali. Por, ne, si hoxhë, si xhemat, devijojmë nga rruga dhe devijojmë edhe në keqinterpretim. Kjo është shumë e vërtetë”, thekson Tolaj.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar selisë në Prishtinë të Bashkësisë Islame të Kosovës për të komentuar vlerësimin e Komisionit Evropian në Raportin e progresit se “ideologjia militante selefiste” mbetet kërcënim në Kosovë. Por, nga BIK-u nuk kanë qenë të gatshëm të përgjigjen.

“Xhamitë paralele” që mund të përfundojnë “me sherr”

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë thotë se raporti i EUROPOL-it vë në dukje se “predikuesit aktivë në ‘xhamitë paralele’ dhe tubimet joformale brenda komuniteteve selefiste janë vërejtur duke promovuar dhunën”.

Për dy xhami në Komunën e Vitisë, të cilat janë jashtë menaxhimit dhe kontrollit të BIK-ut, Radio Evropa e Lirë ka raportuar në korrik të këtij viti.

Nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Viti, asokohe, thanë se një xhami në fshatin Skifteraj dhe tjetra në Ramnishtë drejtohen nga “imamë të vetëshpallur” dhe se ato frekuentohen nga njerëz të dyshimtë. Nuk dihet nëse ata e cilësojnë veten selefistë.

Lidhur me këto dy xhami, ky këshill i kishte njoftuar organet komunale, Këshillin Komunal për Sigurinë në Bashkësi në Viti dhe Policinë e Kosovës.

Për më shumë, kryetari i këshillit të Bashkësisë Islame në Viti, Husamedin Hoxha, më 20 nëntor, tha për Radion Evropa e Lirë se xhamia në Ramnishtë është ndërtuar pa lejen e Bashkësisë Islame të Kosovës.

“Komandanti ( i policisë) më thotë që ata vetëm po falen. ‘Zotëri, ata po falen, por pse nuk hyjnë nën ombrellën e BIK-ut? Pse nuk po falen ata në 30 xhami që i kemi legale, por po falen aty ku nuk është e përfunduar, ku nuk është e legalizuar?’ Do të thotë, ajo xhami është nisur me sherr dhe do që të përfundojë me sherre”, thekson Hoxha.

Në një deklaratë dhënë REL-it, në muajin korrik të këtij viti, Policia e Kosovës tha se “kontrolli dhe menaxhimi i xhamive në komunën e Vitisë i takojnë ekskluzivisht Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Këshillit të Bashkësisë Islame në Viti”.

Por, Hoxha theksoi se BIK-u, si institucion, nuk ka mekanizma për të detyruar “imamët e vetëshpallur” që t’i fusin xhamitë “brenda legalitetit” dhe nën kontrollin e saj.

Zyra e BE-së në Kosovë ka theksuar se edhe në Strategjinë e Qeverisë së Kosovës për luftën kundër terrorizmit dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, e miratuar në qershor 2023, pranohet kërcënimi nga ekstremizmi fetar në vend.

Në këtë strategji thuhet se “ndër kërcënimet kryesore vazhdon të mbetet ekstremizmi me bazë fetare, si rezultat i indoktrinimit me ideologji ekstremiste islamiste të importuara në Kosovë nga vendet e Lindjes së Mesme”.

Reagime nga Maqedonia e Veriut

Lidhur me Raportin e progresit të Komisionit Evropian, ku thuhet se “ideologjia militante selefiste” mbetet kërcënim në kontekstin rajonal, ka reaguar Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut (BFI e RMV-së).

Në një postim në rrjetin social Facebook, ajo ka shprehur mirënjohje që Komisioni Evropian “njeh të gjitha aktivitetet e kryera kundër terrorizmit dhe ekstremizmit”, në të cilat kjo bashkësi ka dhënë “kontribut të madh dhe të veçantë”.

Lidhur me raportin e KE-së ka reaguar edhe Bashkësia Islame Selefie “Dar el-Hadith” në Shkup.

Në reagimin e saj dërguar Radios Evropa e Lirë, kjo bashkësi thotë se “përhapja e selefizmit të vërtetë dhe edukimi i myslimanëve me metodologjinë e saktë…. është lufta më e fuqishme dhe më efikase për zhdukjen e radikalizmit, ekstremizmit dhe terrorizmit”.

Bashkësia Islame Selefie, e cila vepron në mënyrë legale në Maqedoninë e Veriut, ka thënë se distancohet nga grupet, lëvizjet dhe ideologjitë e ndryshme “të cilat e quajnë veten ‘selefiste’, por veprimtaritë dhe deklaratat e tyre janë në kundërshtim me këto parime”.

Kjo bashkësi u ka bërë thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera që “ta diagnostikojnë saktësisht problemin e ekstremizmit dhe të ndërmarrin masa për parandalimin dhe zhdukjen e efekteve negative të tij”./REL