Në thirrjen e dytë mbi 9 mijë persona kanë aplikuar për subvencionimin e pajisjeve për ngrohje
9 mijë e 70 persona kanë aplikuar deri më tash në thirrjen e dytë të Ministrisë së Ekonomisë për të subvencionuar blerjen e pajisjeve për ngrohje.
Kjo nismë e Ministrisë synon që të reduktojë konsumin e energjisë elektrike për ngrohje pas krizës për furnizim me energji që ka kapluar gjithë Evropën.
Subvencionimi i pajisjeve ndahet në dy faza.
Në fazën e parë janë të përcaktuara kriteret teknike dhe të përgjithshme, si për shembull që shtëpia nuk duhet të ketë qasje në sistemin e ngrohtores së qytetit, apo që shtëpia ngrohet vetëm me energji elektrike. Pasi që qytetari plotëson kriteret teknike, menjëherë njoftohet nga Ministria dhe mund të aplikojë për fazën e dytë të thirrjes.
Pasi që qytetari ka plotësuar kriteret për fazën e parë dhe pas blerjes së pajisjes së përzgjedhur sipas kritereve mund të aplikojë për fazën e dytë të thirrjes përmes E-Kosova. Për të aplikuar për fazën e dytë, qytetari duhet të ngarkojë në aplikim faturën apo kuponin e blerjes së pajisjes; vërtetimin e xhirollogarisë bankare; fotografitë e pajisjes së blerë e të tjera.
Ministria e Ekonomisë për KALLXO.com ka bërë të ditur se deri më sot në fazën e dytë të thirrjes së dytë kanë aplikuar 1 mijë e 977 persona, ndërsa të tjerët kanë kohë deri më 9 dhjetor të aplikojnë, kur është caktuar edhe dita e fundit për aplikim.
Ministria ka dhënë informata edhe për cilat pajisje ka pasur më shumë aplikime për t’u subvencionuar.
“Për pompë termike ajër-ajër janë 5 mijë 281 aplikime; për stufë individuale 1 mijë e 524; pompë termike 1 mijë e 230 dhe kaldaja me biomasë 1 mijë e 35 aplikime” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë për KALLXO.com.
Ndërsa buxheti që është në dispozicion për thirrjen e dytë, sipas Ministrisë, është 3.5 milionë euro.
Më 18 nëntor të këtij viti, kur edhe prezantoi hapjen e thirrjes së dytë, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kishte bërë të ditur edhe disa ndryshime, në krahasim me thirrjen e parë.
“Për familjet me skema sociale është rritur subvencioni për inverterë, klimë efiçiente nga 400 euro maksimumi i vlerës, në 550 euro. Për stufat termike me biomasë dhe pompë termike, këtyre kategorive do t’u mundësohet të aplikojnë me profaturë” – kishte thënë Rizvanolli para gazetarëve.
Ndërsa për nënat vetushqyese, Rizvanolli kishte bërë të ditur se për stufën me biomasë do të subvencionohen deri në 90% të vlerës investive, jo më shumë se 550 euro.
“Kemi paraparë lehtësim të peocedurave për qytetarët që nuk kanë mundësi të montojnë pajisjen për shkaqe që nuk varen nga ta, mund të fotografojnë pajisjen, por me kushtin që të jetë e montuar dhe e gatshme për inspektim nga data 10 janar” – shtoi ministrja.
Në thirrjen e parë për subvencionimin e pajisjeve për ngrohje, ishin shpenzuar vetëm 1 milion e 435 mijë euro, për shkak se vetëm 40% e aplikuesve kishin plotësuar kriteret.
Ministrja Artane Rizvanolli në të njejtën konferencë kishte bërë të ditur se nga viti i ardhshëm Qeveria do të fillojë me skema më të mëdha të efiçiencës, ku do të përfshihen termoizolimet, izolimet e kulmeve dhe ndërrimi i dyerve dhe dritareve.
Ajo kishte thënë se plani është që të investohen 30 milionë euro së paku për masat e reja të efiçiencës së energjisë.
“Nga viti në vijim do të fillojmë me skema më të mëdha të efiçiencës së energjisë, që përfshijnë termoizolime, izolime të kulmeve, ndërrim të dyerve dhe dritareve, por edhe pajisje efiçiente për ngrohje. Plani është që gjatë vitit të ardhshëm të investojmë 30 milionë euro së paku në efiçiencë të energjisë, përveç planeve aktuale”.
Rizvanolli thotë se nga viti i ardhshëm fillon izolimi i kulmeve e ndërrimi i dyerve dhe dritareve