Në QNR numërohen rreth 31 për qind e vendvotimeve

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është duke vazhduar rinumërimi i rreth 1.500 vendvotimeve nga zgjedhjet e 6 tetorit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për KALLXO.com se deri më tani janë numëruar rreth 31 për qind e këtyre vendvotimeve.

“Gjatë ditës së shtunë, 16 nëntor, janë rinumëruar 134 vendvotime. Pra, në përgjithësi sipas të dhënave të deritashme, numri i vendvotimeve të rinumëruara është 433 vendvotime apo rreth 31%”, ka thënë Elezi.

Ankesat e subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë kundrejt rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), e kanë mjegulluar edhe më tej rrugën drejt formimit të institucioneve të reja të vendit.

Vendimi për rinumërimin e rreth 1.500 vendvotimeve dhe shpallja e pavlefshme e votave të ardhura nga Serbia do të ndikojnë jo vetëm në kohën e certifikimit të zgjedhjeve, por edhe në rezultatin përfundimtar të tyre.

Njohës të proceseve zgjedhore në vend kanë vlerësuar se konstituimi i Kuvendit dhe votimi i Qeverisë mund të ndodhë gjatë muajit dhjetor të këtij viti.

Telenovela me rezultatet e zgjedhjeve