Gabimi që çoi në rinumërimin e rreth 1.500 vendvotimeve

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) gjatë ditës ka urdhëruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të bëjë rinumërimin e rreth 1.500 vendvotimeve.

Këtë vendim Paneli i gjyqtarëve, i kryesuar nga gjyqtari Rrustem Thaqi, e ka marrë pas shqyrtimit të 52 ankesave të paraqitura pas përfundimit të numërimit të votave të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

Paneli i përbërë prej nëntë anëtarëve, vendimin për rinumërimin e këtyre vendvotimeve e ka arsyetuar me mospërputhjen e të dhënave dhe rezultateve për shkak të gabimit teknik në të shtypur të Formularit të Përputhjes së Rezultateve (FPR).

Sipas këtij paneli, FPR-të nuk janë plotësuar fare te subjekti i parë politik i renditur sepse kanë munguar rubrikat për plotësim si pasojë e një gabimi teknik.

Ky Panel ka vlerësuar se mosevitimi i këtij gabimi e bën shpalljen e rezultateve jo të saktë në kuptim të nenit 101 të Ligjit për zgjedhje në të cilin thuhet:

“Procedurat e numërimit të fletëvotimeve qeverisen nga objektivat e mëposhtme: saktësia, transparenca, efikasiteti, mundësia për rinumërimin dhe përsëritja e zgjedhjeve dhe mbrojtja e fshehtësisë së votës”.

PZAP vlerëson se përpos saktësisë, transparencës dhe kredibilitetit me këtë gabim është cenuar edhe integriteti i procesit zgjedhor dhe në rast se nuk evitohet ky integritet do të vihet në pikëpyetje.

Vendimin e PZAP-së e gjeni në ketë link.