Foto: Ministria e Financave

Në portin e Durrësit fillon zhdoganimi i mallrave që kanë destinacion tregun e Kosovës

Ministria e Financave ka bërë të ditur se në portin e Durrësit ka filluar zhdoganimi i mallrave që kanë destinacion tregun e Kosovës.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati, është takuar me homologen e Shqipërisë, Delina Ibrahimaj. Ata ishin të shoqëruar nga drejtorët e Doganave të dy shteteve.

Takimi është zhvilluar në zyrat e Doganës së Kosovës në portin e Durrësit.

Ministri Murati citohet të ketë deklaruar se me modalitetet e tanishme të funksionimit të zhdoganimit në portet e Durrësit do të ulen kostot për bizneset dhe konsumatorët në rreth 2 milionë euro, kurse përmirësimi i kohës së zhdoganimit do të reflektojë në krijimin e kushteve optimale për tërheqjen e investimeve të huaja në vend.

Tutje në njoftim thuhet se Dogana e Kosovës është vendosur në portin e Durrësit që nga viti 2019, mirëpo deri më tani është bërë vetëm regjistrimi i hyrjeve për mallrat që kanë pasur destinim Republikën e Kosovës, pa pasur ndonjë ndikim në uljen e kostos apo kohës për biznese e konsumatorë.

Në mbledhjen e fundit në mes të dy Qeverive, të mbajtur në qershor të këtij viti, është nënshkruar marrëveshja për analizimin e bashkimit të mundshëm doganor, i cili shënon integrimin tregtar në mes të dy ekonomive.