Takimi për "buxhetim të përgjegjshëm gjinor"/ Foto: KALLXO.com

Në Podujevë mbahet takimi i parë publik vetëm me gra për “buxhetim të përgjegjshëm gjinor”

Më 23 gusht në Kuvendin Komunal në Podujevë u mbajt takimi për “buxhetim të përgjegjshëm gjinor”.

Ky takim u organizua në kuadër të projektit “Fuqizimi i mekanizmave për buxhetim të përgjegjshëm gjinor” i cili u implementua nga Organizata Jo Qeveritare “Sundimi i Demokracisë në Kosovë” dhe u mbështet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.“

Në këtë takim pjesëmarrës ishin qytetarët nga Komuna e Podujevës dhe përfaqësues nga ekzekutivi i komunës.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të informohen për procedurat e hartimit të buxhetit komunal si dhe buxhetimin e përgjegjshëm gjinor.

Nënkryetarja e Komunës së Podujevës, Marigona Lahu, potencoi se ky ishte debati i parë publik që u mbajt vetëm me gra.

“Është hera e parë që debati po mbahet vetëm me gra. Arsyeja për këtë është se tek ato si 50 për qind e shoqërisë dëgjohet pak zëri i tyre. Si komunë jemi munduar të fokusohemi te gratë, dhe do të vazhdojmë edhe në të ardhmen. Mirëpo, neve na duhet mbështetja, kritikat dhe sugjerimet tuaja” – u shpreh ajo. Këto dëgjime bëjnë të mundur që planifikimi buxhetor t’ju përgjigjet edhe problemeve të grave. 

Drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Podujevës, Fatlum Osmani, pasi tregoi një rezyme të përgjithshme për të dhënat buxhetore, tha që dëshiron t’i dëgjoj kërkesat dhe problemet e qytetarëve në mënyrë që komuna e Podujevës të ketë një buxhet më gjithëpërfshirës.

 Kërkesat që shpalosën këto qytetare ishin nga fushat më të ndryshme.

 Për dikë ishin problem qentë endacak ku u tha se banorët e sidomos fëmijët janë të rrezikuar nga ta; nga disa gra të tjera u kërkua që të ketë më shumë qerdhe dhe të ketë transport publik për fëmijët; disa nga qytetaret kërkonin përkrahje dhe subvencionim për bizneset, e në mesin e tyre u theksua edhe kërkesa për subvencionime në bujqësi.

 Në lidhje me këtë, Drejtori për Buxhet dhe Financa tha se për vitin 2023 ka pothuajse  një dyfishim të fondeve për subvencionet në bujqësi.

 “Nga 430 mijë euro në vitin 2023 i kemi 700 mijë euro… dhe kjo normalisht nënkupton që për shumë gra e shumë nga familjet që deri tani nuk e kanë marrë asnjë subvencion të nevojshëm, tani mundësitë do të jenë pakrahasismisht më të mëdha në vitin 2023” – tha drejtori, i cili nuk e mohoi se nevojat e qytetarëve janë të shumta

 “Shumë shqetësime dhe probleme do të zgjidhen në buxhetin e vitit 2023 por për fat të keq shpesh kërkesat janë më të mëdha se mundësitë” -shtoi drejtori.

 Në anën tjetër, nënkryetarja Lahu i njoftoi të pranishmet se Komuna e Podujevës në bashkëpunim edhe me nivelin qendror për vitin 2023 i ka të ndara 165 mijë euro për një qendër për qëndrim ditor për persona të moshuar.

 “Ka shumë prej grave që nganjëherë nuk munden të punojmë për shkak se duhet të kujdesen për personat më të moshuar në shtëpi, kështu që prej vitit të ardhshëm krijohet njëfarë lehtësimi për shkak se këta persona do të mund t’i dërgojnë në qëndrim ditor dhe t’i kryejnë aktivitet e tyre të ndryshme” – u shpreh Lahu.

 Komuna e Podujevës pranoi se kishte më parë dëgjime buxhetore, por në të cilën pjesëmarrje shumë të madhe kishte të burrave, dhe problemet e grave nuk ishin dëgjuar. Andaj edhe kërkesat e shpalosura dje ishin probleme me të cilat ballafaqohen gratë. Gratë kërkuan laborator publik ku mund të kryhej analiza e pap-testit dhe jo të paguhej shuma për ti sjellë mostrat në Prishtinë, një onkolog/e i/e cila do të vizitonte pacientët në Podujevë të paktën 2 herë në javë, problemet me ujin e pijshëm dhe ankesat për qerdhe për shkak të barrës së kujdesit ndaj fëmijëve që rëndon vetëm mbi to. 

E kënaqur me këtë organizim dhe me faktin që asaj iu dha mundësia t’i paraqesë kërkesat e saj para komunës u shpreh Xhemile Hykolli nga fshati Shajkovc i Podujevës.

“Ky organizim mu duk shumë i mirë dhe jam shumë e kënaqur, nuk do të thotë që sot e bëra kërkesën dhe sot do të realizohet, por kryesorja është që kërkesat tona të paraqiten dhe më pas realizimi shkon hap pas hapi” –  tha për KALLXO.com Xhemilja, kërkesa e së cilës ishte që në të ketë një qerdhe për fëmijë në fshatin Shajkovc.

 “Kërkesa ime sot ishte që të bëhet një qerdhe në fshatin Shajkovc sepse është një fshat shumë i madh dhe ka popullatë shumë të madhe kështu që vajzat, gratë, nënat e reja janë me angazhime të ndryshme, prandaj kjo është arsyeja që sot e kërkova këtë qerdhe” u shpreh ajo.

 Një tjetër qytetare që kishte ardhur për t’i shpalosur kërkesat dhe hallet e saj ishte edhe Nazife Gashi nga fshati Dobërdol i Podujevës.

 Kërkesat kryesore të saj ishin për rrymën dhe ujin në këtë fshat.

“Rrymën e kemi shumë të dobët në fshatin tonë, gjë që ma pamundëson që ta zhvilloj biznesin tim. As ujë nuk kemi fare, gjithmonë na duhet të shohim mundësi të tjera, ose të shkojmë në Bajgorë ose të marrim ujë nga puset por as uji nga pusi nuk është aq i pastër” – u shpreh Gashi e cila e indinjuar me gjendjen në këtë fshat tha shpreson që kërkesa e saj të mos has në vesh të shurdhër.

“Shpresoj që kërkesat e mia të mos bien në vesh të shurdhër. Ne që 20 vite jemi pa ujë. Para 20 viteve i tërë fshati i kemi dhënë paratë në komunë që të kemi ujë dhe sot e asaj dite jemi ende pa ujë”- tha ajo për KALLXO.com.

 SDK është përfituese e raundit të 17 të FGK-së në kuadër të nismës së RrGK-së, “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.