Forumi rajonal i redaktorëve, Foto: SEENPM

Në Ohër është mbajtur Forumi rajonal i redaktorëve

Redaktorë nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia u mblodhën në Ohër për të shkëmbyer pikëpamjet e tyre mbi parimet themelore etike të gazetarisë.

Takimi “Etika e gazetarisë: Dilemat e vjetra dhe sfidat e reja”, i mbajtur nga 30 gushti deri më 2 shtator, ofroi një platformë për profesionistët e medias nga rajoni për të shkëmbyer përvoja dhe për të diskutuar sfidat e reja etike dhe dilemat e vjetra për profesionin.

Raportimi për vetëvrasjen dhe femicidin, kodet e brendshme të etikës, sfidat profesionale rajonale dhe globale dhe komunikimi etik me audiencën ishin ndër temat e diskutuara nga 29 redaktorë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile.

Ognen Janeski, redaktor dhe drejtues emisioni në TV 24 nga Maqedonia e Veriut, beson se roli i redaktorëve së shpejti do të ndikohet dhe zvogëlohet nga inteligjenca artificiale. Megjithatë, ai tha se nuk duhet të neglizhohet rëndësia e përvojës së dikujt në drejtimin e gazetarisë.

“Ne jemi duke e transformuar median dhe gazetarinë dhe duke e bërë këtë duhet të kemi parasysh të gjitha gjërat që mund t’i mësojmë nga më të vjetrit dhe më me përvojë, e ata zakonisht janë redaktorët” – thotë Janeski.

Redaktorët duhet të drejtojnë dhe ndihmojnë gazetarët e rinj dhe kolegët e tjerë në redaksi për të siguruar cilësinë e produktit gazetaresk. Ky duhet të jetë roli i redaktorit, jo të pretendojë se është më i mirë se të tjerët, beson Žarka Radoja, një gazetare dhe redaktore nga Serbia.

“Nga disa përvoja të mëparshme mund të them se një numër i madh redaktorësh zbatojnë politikat e kompanisë dhe eprorëve. Ky është një problem serioz sepse çon në autocensurë, madje edhe në censurë të hapur” – potencoi Radoja, e cila ishte ndër folësit në Forumin e Redaktorëve.

Një nga temat e diskutuara gjatë aktivitetit ishte rëndësia e kodeve të etikës për gazetarinë e sotme, veçanërisht mekanizmat e brendshëm të vetërregullimit, të krijuara brenda mediave. Lufti Dervishi, redaktor dhe trajner i gazetarisë hulumtuese, i cili mbron përmirësimin e standardeve etike në median shqiptare, ishte mes pjesëmarrësve të Forumit të Redaktorëve. Ai beson se kodet e etikës janë edhe më të rëndësishme në epokën e internetit.

“Kur raportoni për skandale, aksidente, fatkeqësi, tërmete, vetëvrasje, femicide ose vrasje masive, udhëzuesi më i mirë për gazetarët është kodi i etikës. Si të jeni më profesional kur raportoni për një histori për të cilën të gjithë do të shkruajnë – duhet të dalloheni. E vetmja mënyrë për t’u dalluar nga turma digjitale është të jesh më profesionist dhe e vetmja mënyrë për t’u bërë më profesionist është të guxosh, respektosh dhe zbatosh kodin e etikës” – thotë Dervishi.

Kthimi te çështjet themelore

Forumi i Redaktorëve në Ohër ishte takimi i dytë i redaktorëve rajonalë i organizuar nga SEENPM dhe organizata partnere nga Ballkani Perëndimor. Këtë vit takimi u mbajt si pjesë e projektit “Building Resilient Journalism in the Western Balkans”, i implementuar nga SEENPM në partneritet me Transitions, BIRN Kosova dhe anëtarët e SEENPM – Mediacentar Sarajevo, Instituti Malazez i Medias, Instituti Shqiptar i Medias, Shkolla e Gazetarisë në Novi Sad dhe Instituti Maqedonas për Media. Projekti mbështetet nga National Endowment for Democracy – NED.

Gjatë fazës tjetër të projektit, redaktorët dhe gazetarët nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia do të kenë mundësinë të marrin pjesë në projekt dhe të prodhojnë storie ndërkufitare.

Pjesëmarrësit e Forumit të Redaktorëve theksuan se ishte një mundësi unike për profesionistët e medias që të mblidheshin dhe diskutonin disa nga dilemat më të rëndësishme etike me të cilat përballen çdo ditë.

“Është interesante që ne të gjithë përmendëm shembuj shumë të thjeshtë, por shumë të vështirë për t’u trajtuar, si për shembull nëse duhet të publikojmë një foto të dikujt nëse nuk janë persona publikë, nëse duhet të raportojmë se dikush është vrarë nëse nuk jemi të sigurt për informacionin, a duhet të publikojmë dokumente që besojmë se janë të vërtetë, por që nuk kanë burim të mirëfilltë…” – shpjegon Janeski.

Takimi ofroi gjithashtu një platformë për redaktorët për të shkëmbyer përvoja nga vendet e tyre dhe për ta krahasuar atë me të tjerët.

“Takimi në Ohër ishte i veçantë sepse nuk ra në grackën e ligjërimit dhe të thënies se çfarë është e mirë dhe çfarë jo. Më shumë kishte të bënte me frymëzimin dhe shkëmbimin e përvojës në të gjithë rajonin se çfarë funksionon në një vend dhe çfarë në një tjetër” – përfundoi Dervishi.