Në interpelancë me ministrin, polemizojnë mes vete deputetët e opozitës

Interpelanca që po zhvillohet sot me Ministrin e Arsimit, Ramë Likaj për mësimin në pandemi, ka nxitur debat në mes deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, dhe atij të Vetëvendosjes, Shpejtim Bulliqi.

Musliu në fjalën e saj ka hedhur fajin te Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti dhe ajo aktuale e udhëhequr nga Avdullah Hoti për situatën me arsimin në Kosovë.

Ajo ka thënë se qeveria Kurti është vonuar në përgatitjen e udhëzimit për vlerësimin e nxënësëve i cili është publikuar në fundin e muajit prill.

Musliu ka vazhduar tutje duke shtuar se edhe udhëzimi për vlerësimin e nxënësëve gjatë kohë së mësmit online ka qenë i vonuar.

“Përveç pandemisë me COVID-19, arsimin e ka dëmtuar edhe neglizhenca e dy qeverive të kaluara të cilat nuk e kishin në prioritet arsimin madje Albin Kurti e kishte përmendur vetëm dy herë fjalën edukim në raportin 100 ditësh të qeverisjes. Është duke vazhduar katrahura e vitit të kaluar.  Qeveria Kurti i ka humbur katër muaj për shkak të apetiteve për të marrë më shumë hise në koalicionin me LDK, në qoftëse nuk do të vonoheshin MASH do të kishte kohë më shumë të përgatitej. Tek më 24 prill qeveria Kurti ka dal me udhëzim për vlerësimin i cili ishte me shumë mangësi”, tha ajo.

Por si kundërpërgjigje ndaj saj, deputeti i VV-së, Bulliqi ka thënë se ajo që në të vërtetë ka shkatërruar arsimin ka qenë PDK-ja dhe LDK-ja, duke hapur universitete e kolegje.

“E dyta po ja kujtoj shoqes Gane, që arsimin e Kosovës e kanë shkatërru dy subjekte politike, LDK-ja duke hapë kolegje private dhe PDK-ja duke hapë universitete publike në mënyrë që njerëzve të vetë masi që ta mbarojnë politikën të punësohen aty”, ka shtuar ai.

Por Musliu ka marrë edhe njëherë fjalën duke i thënë se ai nuk mund të flas për arsim pasi në kohën kur ai ka qenë drejtor i arsimit, nota mesatare në komunën nga ai vjen, Podujeva, nga qenë 2.0.