Në ditën e tyre, fëmijët me nevoja të veçanta kërkojnë respektimin e të drejtës për qasje

Më 20 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, është kërkuar respektimi i akteve ligjore që mundësojnë qasjen infrastrukturore për personat me nevoja të veçanta.

Fëmijët kanë zhvilluar takime edhe me përfaqësues të drejtorisë së Shëndetësisë, Mirëqenies Sociale, Arsimit, Urbanizmit dhe Infrastrukturës në katër komuna: Prishtinë, Ferizaj, Gjakovë dhe Mitrovicë, tek të cilët dorëzuan kërkesën edhe në formë të shkruar.

Prej këtyre institucioneve ata morën zotime se do të shtojnë presionin në respektimin e këtij udhëzimi dhe se do punohet në drejtim të përmirësimit dhe krijimit të qasjes nëpër institucione kyçe.

Lëvizja pa pengesa, një e drejtë elementare po kërkohet edhe përmes kampanjës ‘’Respektoni të drejtën e personave me aftësi të kufizuara për qasje, ju e keni obligim!’’

Handikos në bashkëpunim me përfaqësues të grupit avokues “Hëna”, ROR dhe Asamblesë Komunale të Fëmijëve sot kanë lansuar videon ndërgjegjësuese përmes së cilës bëhet thirrje që të respektohet dhe zbatohet Udhëzimi Administrativ 33/2007 që rregullon qasjen infrastrukturore për personat me nevoja të veçanta.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit ‘’Promovimi i parandalimit të dhunës në të gjitha mjediset ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë’’, i cili implementohet në bashkëpunim me Save the Children in Kosovo dhe mbështetet nga SIDA Suedeze.