Amir Gërguri - Foto: Facebook/ Sejdi Hoxha

Ndryshimet në Policinë e Kosovës, Amir Gërguri emërohet Drejtor i Divizionit të Njësive Speciale

 

Ish-Komandanti i Njësive Speciale në vitin 2020, në kohët e fundit ishte edhe drejtues i Njësisë Speciale Operative, Amir Gërguri tashmë do të ketë pozitë të re në Policinë e Kosovës.

Siç ka mësuar KALLXO.com, Gërguri tashmë ka marrë postin e Drejtorit të Divizionit për Njësi Speciale.

Ai do të drejtojë këtë divizion i cili është pjesë e Drejtorisë së Operacioneve në kuadër të Departamentit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Divizioni të cilin do ta udhëheqë Gërguri, është përgjegjës për menaxhimin dhe udhëheqjen e drejtorive të specializuara, për të siguruar rend dhe qetësi publike, për të ofruar mbështetje dhe përkrahje operative, departamenteve, divizioneve, drejtorive të Policisë së Kosovës dhe agjencioneve tjera relevante të sigurisë në vend, sipas misionit dhe detyrave për angazhim të njësive të specializuara.

Divizioni i Njësive Speciale, ka objektivë edhe ofrimin e shërbimeve të veçanta për sigurimin e VIP-ve dhe objekteve me rëndësi të veçantë, përcjelljen e delegacioneve të ndryshme, vendore dhe të huaja, përcjelljen dhe ekstradimin e të dyshuarve me nivele të ndryshme të rrezikshmërisë, kontrollimet antiterroriste, arrestimin e personave me rrezikshmëri të lartë, kontrollimin e masës së qytetarëve gjatë manifestimeve të ndryshme duke përfshirë: tubimet publike, manifestimeve kulturore-sportive, protestat/demonstrata, asistime departamenteve dhe njësive tjera në polici dhe institucione qeveritare, ngritja dhe forcimi i bashkëpunimit me institucionet tjera relevante të sigurisë vendore dhe ndërkombëtare për çështje të sigurisë: FSK, AME, EULEX, KFOR.

Në kuadër të këtij divizioni funksionojnë ndaras dy drejtori, ajo e Njësive Speciale me njësitet e saja elite, siç janë Njësia Speciale Intervenuese, Njësia Speciale Operative, Njësia me qen zyrtarë K-9, Njësia për trajtimin e Mjeteve Eksplozive, si dhe Drejtoria për Sigurimin e Objekteve me rendësi të veçantë, siç janë: Njësia për Sigurimin e Presidencës, Kuvendit, Qeverisë, Njësia për Mbrojtje të Afërt, Njësia për Sigurimin e Objekteve Ministrore dhe Rezidenciale, Njësia për Sigurimin e Objekteve Policore, Njësia për Sigurimin e Objekteve Diplomatike, Njësia për Sigurimin e Objekteve të Trashëgimisë Kulturore dhe Fetare.

Gërguri njihet edhe si person i cili në të kaluarën ka udhëhequr operacionet policore në turma e protesta të cilat janë organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në vitin 2020 ai ishte suspenduar nga detyra me vendim të ish-Drejtorit të Policisë së Kosovës në atë kohë, Rashit Qalaj.

Birra me vëllain e Hashim Thaçit, suspendohet Amir Gërguri

Suspendimi i tij kishte ardhi pasi i njëjti ishte fotografuar në shoqëri të vëllait të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe disa personave të tjerë në një mbledhje në një zonë malore.

Kjo mbledhje ishte organizuar në kohën e pandemisë COVID-19. Në atë kohë Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës kishin ndaluar të gjitha llojet e grumbullimeve për shkak të rrezikut të përhapjes së pandemisë.

Në vitin 2021, KALLXO.com pati raportuar edhe për një rast tjetër në të cilin është përmendur edhe Amir Gërguri.

Në atë kohë, një hulumtim i KALLXO.com tregonte se si njerëz me pozita të larta në Policinë e Kosovës, takoheshin e fotografoheshin me një person i cili po hetohej në një rast të ‘Telekomit’.

Njerëzit e Policisë së Kosovës blenin telefona te njeriu që po hetohej për rastin ‘Telekomi’