Në kohën kur hetohej i dyshuari në rastin “Telekomi” takohej me krerët e Policisë së Kosovës - FOTO

Gjatë ditës së djeshme është arrestuar Fatbardh Ajvazi, i dyshuar për rastin e kontratës 450 mijë euroshe të “Telekomit”.

Siç mëson KALLXO.com, Fatbardh Ajvazi është djali i axhës së Arbnesh Ajvazit, drejtor i Divizionit për Siguri Publike.

KALLXO.com ka kontaktuar Ajvazin për të marrë një konfirmim, por i njëjti ka udhëzuar që konfirmimin për lidhjen familjare në mes tij dhe Fatbardhit ta kuptojmë në ndonjë rrugë tjetër.

“Pse çka është e rëndësishme, konfirmoje dikah tjetër”, është shprehur Ajvazi për KALLXO.com.

Po ashtu, Fatbardh Ajvazi dhe Arbnesh Ajvazi janë parë së bashku edhe nëpër fotografi në rrjete sociale. Disa prej këtyre fotografive janë publikuar në rrjete sociale në kohën kur Fatbardh Ajvazi ishte duke u hetuar nga Prokuroria.

Në këto fotografi në rrjete sociale, Fatbardh Ajvazi shihet edhe me Amir Gërgurin, komandant i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës.

Gërguri, i kontaktuar nga KALLXO.com rreth lidhjeve me Ajvazin dhe fotografive në rrjete sociale për mundësinë e sqarimit të rastit ka thënë që rreth pozitës së tij zyrtare përgjigjet vetëm zyrtarisht për shkak të integritetit.

“Ju jeni gazetare apo? Ju e dini që unë punoj në Polici të Kosovës apo? E dmth çdo prononcim i imi duhet të jetë me autorizim policorë, sigurisht keni përvojë të mjaftueshme edhe e dini dhe gjithçka çka i përket emrit tim në lidhje me profesionin që ushtroj dhe për shkak të integritetit, prononcimet që e prekin punën tonë i jap vetëm me autorizim policorë”, ka thënë Gërguri për KALLXO.com.

Gjithashtu në fotografi me Fatbardh Ajvazin shihet edhe Gazmend Hoxha, drejtor i Operacioneve në Policinë e Kosovës, i cili ka deklaruar se lidhja e tij dhe e Fatbardhit është sepse blen dhe servison telefona mobil kur ka nevojë.

“Kam lidhje që shkoj me ble telefona kur kam nevojë për telefona edhe i servisoj aty”, ka thënë Hoxha për KALLXO.com

Ndërsa, Policia e Kosovës në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se veprimet i merr pa dallime konform ligjit.

“Policia e Kosovës është institucion i zbatimit të ligjit dhe në të gjitha rastet veprimet e saj pa dallime, i ndërmerr konform autorizimeve ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë. Ndërsa lidhur me rastin “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” dhe “Shmangia nga tatimi”, i referoheni komunikatës 30/2021, të lëshuar më 04.06.2021 nga Prokuroria Themelore Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e policisë për KALLXO.com

Sipas dosjes së prokurorisë, Alban Limani dhe Donika Bajrami pronarë të Zone Mobile, së bashku me Fatbardh Ajvazin dyshohen se kanë shkelur rregullat e prokurimit publik në momentin kur nuk i kanë zbatuar kontratat me vlerë mbi 400 mijë euro të lidhura me Telekomin e Kosovës.

Sipas prokurorisë ata nuk e kishin furnizuar fare Telekomin e Kosovës siç ishte përcaktuar me kontratë, mirëpo kishin krijuar dokumentacione fiktive për marrjen e pagesave. Me këto veprime sipas prokurorisë “Telekomi” i Kosovës ishte dëmtuar plotë 437 mijë euro.

Sipas dosjes së prokurorisë, Fatbardh Ajvazi dyshohet edhe se gjatë kohës kur rasti ishte duke u hetuar ishte munduar të krijonte fatura fiktive me qëllim që të krijonte prova false për mbrojtjen e të arrestuarve të këtij rasti. Të tre dyshohen edhe për shmangie nga tatimi.

I arrestuari së fundmi në këtë rast është Gazmend Hyseni. Ai dyshohet se si pronar i kompanisë  “Verscoop” në bashkëpunim me Fatbardh Ajvazin kishin krijuar fatura fiktive me qëllim të mbulimit të hyrje-daljeve të telefonave mobil për kompaninë “Zone Mobile”.

Dosja e Prokurorisë: Si u keqpërdoren 400 mijë eurot e Telekomit që  ishin destinuar për joshjen e klientëve