Prokuroria e Mitrovicës nis hetimet lidhur me ndejën e zyrtarëve të sigurisë me vëllanë e Thaçit

Një ndejë e cila dyshohet të jetë organizuar të shtunën në një zonë malore u ka kushtuar me suspendim dy zyrtarëve, komandantit të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, Amir Gërguri dhe ushtruesit të detyrës së drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë, Burim Buleshkaj.

Gërguri dhe Buleshkaj janë suspenduar për shkak se të njëjtit, ditë më parë ishin fotografuar në shoqëri të vëllait të presidentit Hashim Thaçi dhe disa personave të tjerë në një mbledhje në një zonë malore.

Grumbullime të tilla sipas vendimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë së Kosovës janë të ndaluara për shkak që të njëjtat mund të jenë rrezik për përhapjen e pandemisë COVId-19.

Prokuroria e Mitrovicës ka nisur hetimet lidhur me këtë rast.

Zëdhënësi për media i kësaj prokurorie Valon Preteni, ka konfirmuar për KALLXO.com se Prokuroria në Mitrovicë ka filluar procedurën për hetimin e këtij rasti.

“Pas publikimeve të shkrimeve të publikuara në disa portale, prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, ka filluar procedurat për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti, ndaj personave të cilët janë pjesëmarrës, në drejtim të veprave armëmbajtje pa leje dhe mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë“, ka thënë Preteni.

Dje KALLXO.com raportoi lidhur me suspendimin e dy zyrtarëve, ndërsa tani Prokuroria e Mitrovicës ka nisur hetimet lidhur me këtë rast.