Mungesa e numrave rendor në listat e kontrollit të ATK-së shfaqë rreziqet për keqpërdorime

Po bëhen gati katër vite prej kur listat e kontrollit të inspektorëve tatimor nuk kanë numra rendor.

Në këto lista kontrolli të njohura në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) si “dokumente të aktivitetit” shënohen të gjitha parregullsitë tatimore të cilat hasen tek një biznes i cili kontrollohet.

Mungesa e numrave rendor në këto dokumente nënkupton ekzistimin e rrezikut që ato të asgjësohen nga zyrtarët e ATK-së dhe të mos mbeten gjurmë të shkeljeve të konstatuara me rastin e kontrollit.

Pra pas përfundimit të një kontrolli tatimor dhe shënimit të parregullsive në dokumentin e kontrollit nuk ekziston asnjë siguri se dokumenti i përpiluar do të dërgohet në “ZGJONA” për t’u ndëshkuar kjo pasi ai dokument mund të asgjësohet dhe në vend të tij të përpilohet ndonjë raport tjetër nëse ka qëllime për keqpërdorime.

Në këtë mënyrë Administrata Tatimore e Kosovës nuk mund të jetë në dijeni për një asgjësim të ndonjë raporti të kontrollit pasi nuk ka ndonjë numër në të cilin do të mund të evidentohej se një dokument i aktivitetit është asgjësuar.

Në lidhje me këtë çështje nga Divizioni i Standardeve Profesionale (DSP) në ATK ka thënë se janë duke punuar që secili dokument qe nxirret nga ATK-ja te lëshohet me numër rendor.

“Ne jemi duke punuar që secili dokument që nxirret nga ATK-ja të lëshohet automatik dhe po ashtu që secili dokument të ketë barkod që të mos mund të falsifikohet apo të ndryshohet edhe nëse ka gabime eventuale dhe të mbesin gjurmët”, kanë thënë nga zyra e DSP-së.

Vite më parë listat e kontrollit në Administratën Tatimore të Kosovës mbanin numrat rendor “UNRIEF” dhe numrat që dëshmonin që dokumentet e kontrollit nuk kanë pasur mundësi të asgjësohen.

Kështu ishte në kohën kur gjobat shqiptoheshin direkt nga Inspektorët e ATK-së mirëpo me kalimin e shqiptimit të gjobave nga inspektoret në divizionin e veçantë për shqiptimin e ndëshkimeve i njohur si “ZGJONA” numrat rendor janë larguar nga lista.

Standardet Profesionale të ATK-së të cilat kanë për detyrë të hetojnë të gjitha raportimet për përpjekjet për të korruptuar zyrtarët tatimor kanë thënë se e kanë analizuar situatën e mungesës së numrave rendorë në dokumentet e aktivitetit dhe se janë duke punuar që secili dokument të ketë barkod i cili do ta bënte të pamundur falsifikimin ose ndryshimin e tyre.

Mungesa e numrave rendor në dokumentet e kontrollit si dhe mundësia e keqpërdorimit të këtyre dokumenteve mund të ketë ndikuar që perceptimi qytetar në integritetin e ATK-së të vazhdojë të jetë i ulët.

Gjatë tre viteve prej kur BIRN dhe ‘Demokracy Plus’ kanë filluar monitorimin e ATK-së me përkrahjen e Ambasadës së Britanike një nga qëllimet kryesore ka çështja e integritetet të zyrtarëve të këtij institucioni.

Gjatë kësaj periudhe BIRN ka gjetur se zyrtarët e lartë të ATK-së nuk e kanë deklaruar pasurinë ashtu siç e kërkon ligji. Për të njëjtit Agjencinë Kundër Korrupsion ka hapur hetime për mosdeklarim të pasurisë.

Përpos këtyre rasteve si rezultat i hulumtimeve të BIRN janë ndëshkuar katër inspektor tatimor me masa disiplinore.

Në aspektin e integritetit të ATK-së BIRN është angazhuar edhe në shfaqjen e lidhjeve politike të zyrtarëve të lartë të ATK-së me partitë dhe punësimet e personave të afërm me partitë politike në Administratën Tatimore të Kosovës.

Si rezultat i këtij angazhimi, 32 zyrtar të ATK-së kanë dhënë dorëheqje nga partitë politike ndërsa një i është bashkuar politikës duke u larguar nga institucioni.

Gjatë hulumtimit të konkurseve brenda ATK-së, BIRN kishte gjetur se një numër i madh i të punësuarve kishte lidhje me partitë politike. Gjetjet ishin adresuar në institucionet shtetërore dhe pas analizimit të tyre ishin konstatuar parregullsi.

Ky nuk është i vetmi konkurs i ATK-së, ku institucionet mbikëqyrëse e konsiderojnë si të parregullt pasi i parregullt ishte vlerësuar edhe procesi i punësimit të 30 inspektorëve të ATK-së, i cili ishte zhvilluar gjatë vitit 2017.

Duke ju referuar këtyre rasteve që konsistonin në rënien e perceptimet të qytetarëve, më qëllim të përmirësimit të integritetit të ATK-së, BIRN është angazhuar në promovimin e rasteve të suksesshme të luftimit të evazionit fiskal.

Këtë e kishte bërë duke e promovuar punën e mirë të inspektorëve të ATK-së në aksionet të cilat ishin kryer pas raportimeve të qytetarëve për parregullsi.

Si rezultat i këtyre raportimeve janë zhvilluar dhe filmuar rreth 244 operacione kontrolli dhe janë konstatuar shkelje të cilat kanë rezultuar me gjoba në vlerë prej rreth 200 mijë euro për bizneset.

https://kallxo.com/lajm/raportimet-ne-kallxo-com-rezultojne-me-mbi-200-mije-euro-gjoba-per-bizneset-brenda-dy-viteve/