Pas raportimit të Kallxo.com dorëhiqen edhe katër drejtorë politikë të ATK-së

Për dallim nga Totaj i cili u shkëput nga ATK-ja, ketër zyrtarët u shkëputën nga postet politike, kjo pasi javë më parë menaxhmenti i ATK-së, u kishte kërkuar të zgjedhin në mes të punës në ATK dhe posteve politike.

Zyrtaret të cilët dhanë dorëheqje nga postet politike janë, Bashkim Shala ish drejtori i  përgjithshëm i operacioneve tani drejtor i Auditimit në ATK.

Shala deri pak javë më parë ishte anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Skenës Politike i është larguar edhe drejtori i ATK-së, në drejtorinë Prishtina 3, Jeton Mushkolaj i cili në fillim të këtij muaji ishte kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Deçan.

Dorëheqje nga postet politike ka dhënë edhe inspektori Petrit Xani, ai më parë ka qenë kryetar i rinisë së Nismës Socialdemokrate në Fushë Kosovë.

Nga Politika është larguar edhe inspektori i ATK-së, në Pejë, Faruk Zekaj, ai ka qenë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Javë më parë KALLXO.com, raportojë se Menaxheri i ATK-së në Prizren Shaqir Totaj kishte ofruar dorëheqjen e tij nga posti në ATK, duke e vazhduar karrierën e tij në politikë, përkatësisht Partinë Demokratike të Kosovës.

Këto dorëheqje erdhën pasi KALLXO.com në kuadër të projektit për monitorimin e punës së ATK-së i kishte dërguar letra menaxhmenit të ATK-së me kërkesën për të nisur procedura disiplinore për zyrtarët e lartë të ATK-së të cilët drejtojnë degë dhe mbajnë pozita në partitë politike.

Këto shkresa zyra ligjore e BIRN, ia drejtoi zyrës së standardeve profesionale të ATK-së, e cila ka për detyrë t’i hetojë të gjithë punonjësit e ATK-së për shkeljet ligjore.

BIRN e informoi Administratën Tatimore të Kosovës se tre zyrtarë të lartë të këtij institucioni mbajnë pozita të larta në ATK, dhe janë aktivë në politikë. Dy nga ta në Lidhjen Demokratike të Kosovës ndërsa njëri në Partinë Demokratike të Kosovës.