Zëvendësdrejtori i ATK-së fsheh lidhjet me biznese

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i ATK-së, Hamit Mulaj, në deklarimin e pasurisë, ka thënë se nuk ka pozita e as pronësi në asnjë biznes. Por, KALLXO.com ka gjetur se emri i tij figuron te dy biznese.

Mulaj është pronar i një biznesi që ende figuron në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK) me emrin “Pfleiderer novoterm Kosovë”, i cili është regjistruar në vitin 2002. Përveç kësaj, Mulaj figuron si person kontaktues në biznesin “Termo-Trade” në një katalog të kompanisë “URSA” i cili është publikuar në vitin 2018.

KALLXO.com ka kontaktuar me zëvendësdrejtorin Hamit Mulaj i cili e ka mohuar se ka ndonjë biznes aktiv. Ai fillimisht ka thënë se biznesi i cili figuron në ARBK është mbyllur në vitin 2006.

“Biznesi është i shlyer, gabim është ajo. Unë ua kam dërgu kërkesën atyre, ai është i fshirë moti, është mbyllë, me ta shihna në gjyq”, ka thënë Mulaj në një përgjigje përmes telefonit.

Mulaj ka thënë se biznesi nuk ka operuar që nga themelimi i tij.

“Bazuar në kërkesën tuaj, ju njoftoj se biznesi në fjalë është mbyllur në vitin 2006 dhe nuk ka operuar që nga regjistrimi. Në atachment po ju paraqes dëshmitë ku konstatohet mbyllja e biznesit nga institucionet kompetente”, thuhet në përgjigjen e Mulajt për KALLXO.com të datës 27 shkurt 2020.

Mulaj e ka bashkangjitur edhe një dokument që ai e ka marrë nga ARBK-ja, në të cilën thuhet se biznesi i tij asnjëherë nuk ka aplikuar për ri-regjistrim.

KALLXO.com ka kërkuar një interpretim edhe nga ARBK-ja.

Kjo Agjenci fillimisht e ka konfirmuar se biznesi i Mulajt, Pfleiderer novoterm Kosovë nuk ka aplikuar asnjëherë për ri-regjistrim.

“Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, duke u bazuar në shkresën me datë 26.02.2020 ka bërë kërkimin e informatave në databazën e bizneseve, ju njoftojmë se biznesi “Hamit Mulaj” B.I. me emër tregtar “Perfaqsija tregtare Pfleiderer novotern Kosovë“ me pronar Hamit Mulaj biznesi është regjistruar me datë 20.05.202, mirëpo asnjëherë nuk ka aplikuar për Riregjistrim”, thuhet në përgjigjet e Mehdi Pllashniku, drejtor i Drejtoratit në ARBK.

KALLXO.com ka dërguar pyetje shtesë duke kërkuar interpretim nëse fakti që një biznes nuk ka kërkuar riregjistrim nënkupton se i njëjti është i shuar.

“Biznesi për të zhvilluar aktivitet ka qenë i obliguar që të bëjë Riregjistrimin, (nënkupton faktin se biznesi është pasiv)”, ka thënë Pllashniku duke shtuar si biznes megjithatë “nuk është i shuar”.

KALLXO.com ka kërkuar një interpretim edhe nga Agjencia Kundër Korrupsionit më 28 shkurt, mirëpo deri në publikim të artikullit AKK-ja nuk është përgjigjur, përkundër premtimeve.

Emëri i zëvendësdrejtorit të ATK-së, Hamit Mulaj është i lidhur edhe me një biznes tjetër. KALLXO.com ka gjetur se emri i zëvendësdrejtorit të ATK-së, Hamit Mulaj figuron si përfaqësues i biznesit “Termo-Trade” në një katalog të kompanisë “URSA” i cili është publikuar në vitin 2018.

Nga një kërkim i thjeshtë në Google, dalin të dhënat që Hamit Mulaj në ueb-faqen e kompanisë Gjermane ‘URSA’, figuron si përfaqësues për Kosovë. Kompania, përfaqësues i së cilës për Kosovë figuron emri i zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të ATK-së, Hamit Mulaj, është e shtrirë pothuajse në të gjithë Europën.

Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve thuhet se pronar i kompania “Termo-Trade” është Dritan Mulaj. Dritan Mulaj është vëllai i Hamit Mulajt, zv.drejtorit të ATK-së. Mulaj në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, në vitin 2010, kishte deklaruar se vëllai i tij është pronar i një biznesi.

KALLXO.com ka kontaktuar në numrin e telefonit i cili figuron në listën e përfaqësisë gjermane për Kosovë dhe telefoni është hapur nga Driton Mulaj, vëllai i zëvendësdrejtorit të ATK-së.

Në bisedën e parë me gazetarin e KALLXO.com, i cili ishte paraqitur si blerës, Driton Mulaj e ka pranuar se punon bashkë me vëllain e tij, Hamit Mulaj.

“Hamiti është vëllai im, ai ka startuar, ne punojmë bashkë, po tash jam si ma përgjegjës, jemi bashkë, s’guxojmë as me u nda, se Zoti s’na ka nda”, ka thënë vëllai i zëvendësdrejtorit të ATK-së.

Hamit Mulaj, i kontaktuar nga KALLXO.com, e ka mohuar se është person kontaktues në biznesin e vëllait të tij.

“Nuk është e vërtetë. Ai merr pagë, ai punon dhe ka pagë solide që e merr, çkado që të keni, nuk kam çka me diskutu me juve, unë e kam vëlla kur ka diçka i ndihmoj se e kam të nënës e të babës, tani i ke të sqaruara, në 2006-ën është mbyllë ajo”, ka thënë Mulaj në një përgjigje përmes telefonit për KALLXO.com.

Pas këtij kontakti, KALLXO.com ia ka përcjellë Mulajt linkun e katalogut të kompanisë URSA kur Mulaj figuron si përfaqësues i biznesit.

Mulaj është përgjigj shkurt se kemi të bëjmë “me një gabim teknik”.

KALLXO.com ka kontaktuar përsëri me Driton Mulajn, vëllain e zv/Drejtorit të përgjithshëm të ATK-së, por duke u prezantuar si gazetar i KALLXO.com.

Në bisedë me gazetarin, Driton Mulaj e mohon kategorikisht se vëllai i tij ka gisht në kompani duke thënë se ai nuk ka punuar asnjëherë në këtë kompani, ndonëse në bisedën e parë kishte thënë se Hamiti kishte filluar biznesin dhe tani janë bashkë.

“Hamitin e kam vëlla, unë kam punuar 10 vite me ndërkombëtarë, në atë kohë kam punu edhe në këtë biznes, Hamiti nuk ka punuar kurrë në këtë kompani, emri i tij nuk figuron hiq, nuk osht hiq e vërtet, çdo ku e ki Driton Mulaj”, tha ai.

Rast i ngjashëm me këtë të zv/Drejtorit Hamit Mulaj, ishte edhe rasti i kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova.

Hulumtuesit tanë kishin raportuar se i pari i Istogut kishte aksione në kompaninë “Makon Sh.P.K”, ndonëse i njëjti e mohonte se ka gisht në kompani.

Lidhur me këtë rast kundër kryetarit të Istogut, Prokuroria ka ngritur aktakuzë dhe i njëjti është duke u gjykuar në Gjykatën e Pejës.

Hulumtimin e Drejtësia në Kosovë, në lidhje me ketë rast e gjeni në ketë link.