Raportimet në KALLXO.com rezultojnë  me mbi 200 mijë euro gjoba për bizneset brenda dy viteve

Shuma e gjobave të shqiptuara nga Administrata Tatimore e Kosovës pas raportimeve në KALLXO.com e ka tejkaluar vlerën e 200 mijë eurove.

Më shumë se 300 qytetarw i kanë besuar platformës KALLXO.com për luftimin e shmangies tatimore dhe kanë raportuar për parregullsitë e shumta që kanë hasur në biznese.

Mungesa e  kuponëve fiskalw, mos pajisje me arkë fiskale, punëtorw pa kontrata, biznese të pa deklaruara, punësime politike, biznese të paregjistruara, bastore pa licencë, janë vetëm disa nga shumë raportimet që ishin paraqitur në këtë platformë gjatë këtyre dy viteve.

Vetëm gjatë vitit 2020, ATK ka shqiptuar gjithsej 101,326 euro gjoba.

Gjatë muajve janar, shkurt dhe mars të këtij viti ishin shqiptuar mbi 93 mijë euro gjoba ndërsa gjatë muajve prill, maj dhe qershor janë shqiptuar rreth 8 mijë euro.

Përpos gjobave në vlerë prej rreth 8 mijë euro, gjatë tre muajve të fundit Administrata Tatimore e Kosovës ka zbuluar edhe 45,244 euro qarkullim shtesë për këto biznese.

“Numri i gjobave të shqiptuara 18, shuma e gjobave ne euro 7,951.00 dhe shuma e qarkullimit shtesë të zbuluar 45,244.32,”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.

Pjesa më e madhe e këtyre gjobave të shqiptuara gjatë vitit 2020 kanë shkuar për kompanitë e transportit të udhëtareve. Plotë 48 mijë euro gjoba janë shqiptuar vetëm ndaj kompanive të autobusëve gjatë muajit shkurt 2020.

Gjatë kontrolleve në këto kompani ATK kishte konstatuar qindra udhëtarë të pa pajisur me kupon fiskal.

Përpos kontrolleve në kafiteri, furra, auto parkingje, kompani të autobusëve, servise të makinave gjatë këtyre gjashtë muajve të vitit 2020 ATK ka zhvilluar kontrolle edhe në një institucion publik.

Institucioni publik ju nënshtrua kontrollit tatimor pas dyshimeve se nuk I kishte paguar tatimet për 22 punëtor të punësuar me kontrata mbi vepër.

Që nga fillimi i projektit të përkrahura nga Ambasada Britanike në Kosovë  për rritjen e mbikëqyrjes të shoqërisë civile në Administratën Tatimore e deri më sot, ATK ka shqiptuar mbi 200 mijë euro gjoba nga raportimet e qytetarëve në KALLXO.com