Pallati i Drejtësisë/ Foto-Urim Krasniqi

Mungesa e ajrosjes në Pallat të Drejtësisë, KGJK autorizon kryetarët e gjykatave të vlerësojnë a ta vazhdojnë punën apo jo

Këshilli Gjyqësor i Kosovës gjatë ka marrë vendim përmes të cilit autorizon kryetarët e gjykatave të vendosura në Pallatin e Drejtësisë që varësisht nga vlerësimi të reduktojnë apo pezullojnë punën për shkak të temperaturave të larta në objekt.

Ky vendim është marrë në takimin e jashtëzakonshëm të KGJK-së që është mbajtur sot.

Aty është diskutuar lidhur me situatën e krijuar në Pallatin e Drejtësisë për shkak të temperaturave të larta dhe mosfunksionimit të sistemit të klimatizimit.

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi për media nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

“Autorizohen kryetarët e Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit, Gjykatës Komerciale dhe Gjykatës Themelore Prishtinë, që të vlerësojnë kushtet e punës (gjendjen me temperaturat e larta) në Pallatin e Drejtësisë dhe varësisht nga vlerësimi të vendosin për reduktimin e punës apo pezullimin deri në përmirësimin e gjendjes” – thuhet në vendimin e KGJK-së.

Ndryshe, KGJK dhe kryetarët e gjykatave që punojnë në Pallatin e Drejtësisë dje iu drejtuan me letër të hapur kryeministrit të Albin Kurti, zv.kryeministrit Besnik Bislimi, ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike Xhelal Sveçla, ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratit, duke kërkuar që të ndërmarrin masa të menjëhershme, në të kundërtën paralajmëruan se do të dëmtohet një numër i konsiderueshëm i proceseve gjyqësore në zhvillim e sipër dhe rrjedhimisht do të pamundësohet çdo shërbim për qytetarët.