Moti, foto: KALLXO.com

Mot i ligë në Kosovë, KEDS njofton se cilat rajone janë më të prekura nga mungesa e rrymës

Kompania për Distribuimin e Energjisë në Kosovë (KEDS), njofton se për shkak të motit të ligë që ka përfshirë një pjesë të madhe të Kosovës, një numër i caktuar i daljeve janë jashtë funksionit.

KEDS thotë se pasojë e këtij moti, i përcjellë me shi e erëra të forta, rajonet më të prekura në rrjetin elektroenergjetik janë Gjakova, Prizreni, Ferizaj, si dhe një pjesë e Pejës dhe Prishtinës.

“Ekipet e KEDS-it ndodhen në terren nëpër këto rajone dhe po bëjnë të pamundurën që sa më parë ta kthejnë gjendjen në normalitet, për çka kërkojmë mirëkuptimin tuaj”- bëhet e ditur në njoftim.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë fundjavës pritet të ketë reshje shiu dhe shkarkim rrufesh.

“Reshjet më intensive parashihen ditën e diele, ku do të ketë edhe shkarkime rrufesh, por edhe dita e shtune parashihet të ketë reshje në shumë zona”- thuhet në njoftim.

Temperaturat minimale do të shënohen nga 12 gradë celsius ndërsa ato maksimale gjatë fundjavës dot ë shkojnë deri në 28 gradë celsius.